3.1 C
Pristina
Friday, November 29, 2024

Buy now

spot_img

Qeveria e lansoi para disa ditësh, a ofron “superpuna” punësim të qëndrueshëm?

Platforma “superpuna”, e krijuar nga Qeveria e Kosovës me qëllim rritjen e punësimit të të rinjve, nuk është një nismë e qëndrueshme, thotë profesori i Ekonomisë dhe Financave në Universitetin e Prishtinës, Ujkan Bajra.

“E shoh më shumë si pjesë të marketingut politik, se kinse Qeveria është duke punuar në uljen e papunësisë apo krijimin e politikave të favorshme, që stimulojnë punësimin. Fakti që është për gjashtë muaj, nuk siguron qëndrueshmëri afatgjate”, thotë Bajra për Radion Evropa e Lirë.

Platforma “superpuna” u vu në funksion më 6 shkurt. Në kuadër të saj, Qeveria e Kosovës subvencionon punëdhënësin duke paguar pagën e punëtorit për gjashtë muaj, në vlerë prej 264 eurosh. Punëdhënësi, pastaj, ka të drejtë ta shtojë vlerën e pagës për punëtorin e angazhuar.

Pas periudhës gjashtëmujore, punëdhënësi mund ta mbajë në punë punëtorin duke nënshkruar kontratë të re, por edhe mund ta shkarkojë.

Bajra thotë se pas kësaj periudhe, çdo gjë mbetet në dorën e punëdhënësit.

Ai kujton se Kosova ka tashmë Agjencinë shtetërore të Punësimit, e cila, sipas tij, ka rol të ngjashëm me platformën “superpuna” dhe nuk ka ndikuar mjaftueshëm në zbutjen e papunësisë.

Kjo agjenci, e cila vepron që nga viti 2017, i aftëson pa pagesë punëkërkuesit.

Sa është shkalla e papunësisë në Kosovë?

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), shkalla e papunësisë në vend është mbi 20 për qind.

Të dhënat e ASK-së për tregun e punës në vitin 2021, të cilat janë të fundit, tregojnë se janë mbi 1.2 milion qytetarë të Kosovës në moshë pune.

Prej tyre, mbi 380 mijë janë të punësuar, mbi 100 mijë janë të regjistruar si të papunë, ndërsa mbi 740 mijë janë ekonomikisht joaktivë, që do të thotë se nuk janë të punësuar, as të regjistruar si të papunë dhe as nuk kërkojnë punë.

Te të rinjtë e moshës 15-24 vjeç, ndërkaq, shkalla e papunësisë është 38 për qind.

Çka ofron platforma “superpuna”?

“Superpuna” u dedikohet personave të papunë të moshës 18 deri në 25 vjeç.

Punëdhënës nga sektorë të ndryshëm kanë nisur të publikojnë aty ofertat e tyre për punë.

Brenda një jave janë ofruar rreth 500 vende pune nga mbi 300 punëdhënës.

Pozitat e ofruara përfshijnë: kamerier, asistent të shitjes, elektricist, gazetar, kontabilist, dizajnues grafik, infermier e të tjera.

Pagat që i ofrojnë punëdhënësit nisin nga 264 euro – sa është subvencionimi nga Qeveria – deri mbi 1.000 euro, varësisht nga pozita e punës.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve i Kosovës, Hekuran Murati, ka thënë se, deri më 12 shkurt, numri i punëkërkuesve të regjistruar në këtë platformë ka kaluar 1.000.

Ministria që udhëheq ai, vepron si ndërmjetësuese midis punëdhënësve dhe punëkërkuesve, por ajo nuk ka dhënë detaje nëse, deri më tash, është bërë ndonjë ndërmjetësim.

Punëkërkuesi nuk duhet të ketë qenë i punësuar në tre muajt e fundit, para regjistrimit në platformën “superpuna”, ndërsa punëmarrësi obligohet t’i përmbushë të gjitha dispozitat e Ligjit të Punës.

Krasniqi: Subvencionim i ulët

Skënder Krasniqi, drejtor i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Prishtinë, thotë se, në këtë formë, bizneset nuk mund të krijojnë punësim të qëndrueshëm.

Për një gjë të tillë, sipas tij, do të duhej përkrahje më e madhe nga shteti.

“Bizneseve u duhet infrastrukturë më e mirë ligjore, dhënie e më shumë fondeve dhe kredive në periudha kthimi shumë më të gjata e me norma interesi më të ulëta, përkrahje financiare për rritje të eksportit… Qeveria duhet të punojë, po ashtu, në arsimimin më të mirë të studentëve për tregun e punës”, thotë Krasniqi për Radion Evropa e Lirë.

Subvencionimi prej 264 eurosh, sipas tij, është i vogël.

“Kërkesat e punëtorëve për paga janë shumë më të mëdha se shuma e subvencionuar nga Qeveria dhe, patjetër, bizneset duhet ta rrisin atë pagë”, thotë Krasniqi.

Paga mesatare në Kosovë deri vonë ka qenë rreth 480 euro. Në fillim të shkurtit ka hyrë në fuqi Ligji i ri për pagat, i cili u ka sjellë rritje gati të gjithë punonjësve të sektorit publik. Autoritetet kanë thënë se me këtë ligj, paga mesatare do të arrijë deri në 730 euro.

Çka synon Qeveria?

Ministri Murati, kur ka vënë në funksion platformën “superpuna” më 6 shkurt, ka thënë se synim i autoriteteve është që në vitin e parë të punësojnë mbi 10 mijë të rinj.

Të rinjtë që do të punësohen, ka thënë Murati, do të aftësohen dhe do të fitojnë përvojë pune. Më pas, ka shtuar ai, ata do të mund të bëhen pjesë afatgjate e kompanive ku punojnë, apo të gjejnë punë më lehtë në ndonjë kompani tjetër.

Vitin e kaluar, Qeveria e Kosovës ka zbatuar disa skema, të cilat kanë pasur synim punësimin e grupeve të ndryshme shoqërore, përfshirë gratë, personat me aftësi të kufizuara dhe familjet që nuk kanë pasur asnjë anëtar të punësuar.

Përmes këtyre skemave, sipas Qeverisë së Kosovës, janë punësuar afër 5.000 gra e vajza, 239 persona me aftësi të kufizuara dhe 770 familje janë bërë me një anëtar të punësuar.

Viteve të fundit, tregu i Kosovës është përballur edhe me mungesë punëtorësh – sidomos sektori privat. Sipas disa anketave që ka realizuar Radio Evropa e Lirë, por edhe të dhënave të Inspektoratit të Punës, qytetarët janë ankuar për paga të ulëta, mosrespektim të orarit të punës, privim nga pushimi etj. Për rrjedhojë, shumë punëdhënës kanë marrë punëtorë nga jashtë. /REL

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img