Site icon PrishtinaPress

Qeveria e Kosovës miratoi dy vendime lidhur me realizimin e projektit të lidhjes hekurudhore Durrës-Prishtinë

Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhje elektronike, në të cilën ka shqyrtuar dhe miratuar dy propozim-vendime lidhur me marrëveshje ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë.

Në njoftimin e Qeverisë thuhet se është miratuar nisma për lidhjen e marrëveshjes për bashkëfinancim për studimin e fizibilitetit dhe projekt–idesë për lidhjen hekurudhore Durrës-Prishtinë, ndërmjet Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë së Republikës së Shqipërisë.

“Pas shqyrtimit është miratuar edhe vendimi për rekomandimin e Presidentes së Republikës së Kosovës për autorizimin e Ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës për nënshkrim të marrëveshjes me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë të Republikës së Shqipërisë, për bashkëfinancimin për studimin e fizibilitetit dhe projekt–idesë për lidhjen hekurudhore Durrës-Prishtinë”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Kosova dhe Shqipëria, në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive, e cila u mbajt më 2 tetor 2020 në Tiranë, kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi për ndërtimin e linjës hekurudhore Prishtinë-Durrës.

Ky memorandum ka të bëjë me pikën e marrëveshjes së nënshkruar në Uashington ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku të dyja palët janë pajtuar se do t’i përkushtohen një studimi të fizibilitetit për mundësitë e lidhjes së infrastrukturës hekurudhore Beograd- Prishtinë, me një port në det të thellë në Adriatik.

Exit mobile version