Me ftesë të zëvendëskryeministrit të Kosovës, Behgjet Pacolli Qeveria e Kosovës do të “mblidhet” sonte në shtëpinë e tij në Hajvali të Prishtinës.
Kështu kanë bërë të ditur për “Gazeta Blic” një burim brenda kabinetet qeveriatar. Sipas këtij burimi, anëtarët e qeverisë janë ftuar në darkë nga zëvendëskryeministri Pacolli.
“Behgjet Pacolli ka ftuar për një darkë kabinetin qeveritar në shtëpinë e tij në Hajvali”, tha ky burim.
Merret vesh se në këtë mbledhje do të diskutohet edhe për disa tema nëpër të cilat po kalon vendi, pa precizuar saktësisht.
“Gazeta Blic” ka bërë përpjekje që të marrë edhe një konfirmim zyrtar për këtë takim, nga ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj dhe ai i Forcës dhe Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha, por asjnëri nga ta nuk është lajmëruar në thirrjet e redaksisë.
Vlen të ceket se ky takim, është thirrur pikërisht në kohën kur në media po raportohet se anëtarë të subjekteve politike në pozitë kanë filluar t’ia tregojnë rrugën shefit të AKR-së Behgjet Pacolli, i cili itë më parë në një emision televiziv “kërcënoi” kryeministrin Ramush Haradinaj me dalje nga koalicioni qeveritar.
“Nëse nuk ratifikohet demarkacioni dëmet do të jenë të pariparueshme. Do t’i humb kuptimi kësaj qeverie”, kishte deklaruar Pacolli.
E kërcënimeve të partnerit qeverisës nuk po u frikësohen Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Social Demokrate.
Madje shefi i grupit parlamentar të Nismës, Bilall Sherifi ia ka lënë dyert e largimit hapur AKR-së.
Sherifi ka thënë për lajmi.net se secili partner “hynë kur donë, dhe del kur donë”.
“Hyrja në koalicion ka qenë vullnetare, edhe dalja eventuale e cilit do partner qeverises duhet te jete vullnetare. Kjo është demokracia. Secili hyne kur donë dhe del kur donë”, ka thënë Sherifi.