1.9 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Buy now

spot_img

Pajaziti: Beogradi mos t’i manipuloj serbët e Kosovës

Qeveria e Kosovës ka miratuar në heshtje mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale të Serbisë në Kosovë. OSBE sqaron se ka marrë këtë miratim, duke u munduar që qendrat ku do të votohet, t’i quaj si qendra grumbullimi dhe degë përkatëse. Për opozitën një gjë e tillë është e papranueshme, pasi që po shkelet Kushtetuta dhe Serbia po cenon sovranitetin e vendit.

Por ky veprim nuk përbën shkelje të Kushtetutës për zyrtarë të LDK-së. Sadri Ferati thotë se mbajtja e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, nuk është shkelje e Kushtetutës së vendit. Ai madje përshëndet institucionet e vendit, të cilat nuk janë marrë fare me këtë çështje.

“Unë mendoj që nuk është shkelje e Kushtetutës. Ka pasur edhe OSCE edhe neve na ka ndihmuar në zgjedhjet në Kosovë, ka qenë e lajmëruar që t’i ndihmoj ato zgjedhje, që të kenë qendra ku do të votojnë qytetarët. Shihet se është një entuziazëm shumë më i vogël se sa në të kaluarën. Nga ana tjetër vet marrja e lejes për hyrje dhe mbajtja e këtyre mitingjeve nga politikanë serb, e tregon se edhe ata dalëngadalë çdo ditë e më tepër janë dhe po e reflektojnë atë se Kosova është një shtet fqinjë të cilin duhet me respektuar…. Unë i përshëndes institucionet e Republikës së Kosovës, të cilat nuk janë marrë me atë se si do ta shpreh vullnetin një qytetar i Kosovës, që e ka fituar të drejtën me votu për një vend tjetër. E rëndësishme është se edhe në Beograd ka filluar të kuptohet se shteti i Kosovës është në forcim e sipër dhe të cilin duhet me respektu ”, tha ai.

Ndërkaq, shefi i Grupit parlamentar të PDK-së, Zenun Pajaziti thotë se më e rëndësishme, se ajo se duhet të mbahen zgjedhjet apo jo, është ndalja e manipulimit që Beogradi po bënë me qytetarët serb në Kosovë, në vend se ata të ndihmohen të integrohen.

Pajaziti: Beogradi duhet ta ndal manipulimin me serbet e Kosovës

“Më shumë se sa ajo se a duhet lejuar apo duhet të ndaluar, duhet që vet qytetarët serb të ndalin një proces të përsëritur të manipulimit të tyre nga Beogradi. Veç kur ka zgjedhje ata vijnë të votojnë dhe në fakt se ky është veçse një manipulim i radhës. Institucionet e Kosovës duhet të veprojnë në përputhje me ligjet që janë në fuqi. Asnjë aktivitet ilegal nuk duhet lejuar, porse qytetarët që kanë dy shtetësi në Kosovë, kemi nga të gjitha komunitetet që posedojnë dy shtetësi kanë të drejtë të votojnë aty ku e kanë të drejtën të votojnë, aty ku kanë një shtetësi tjetër. Ata mund të shkojnë të votojnë atje. Institucionet e Kosovës nuk kanë asnjë lloj përgjegjësie për organizimin e këtyre zgjedhjeve, përkundrazi ne vlerësojmë se Beogradi po i përdor serbet për qëllimet e tyre politike, për më tepër po i manipulon në të gjitha rastet, jo vetëm në proceset politike por në të gjitha rastet e mund shme. Mendoj që kjo duhet njëherë e përgjithmonë të ndalet, pra më shumë se sa një proces teknik i zgjedhjeve, që mund të bëhet nëpër shtëpi private, t’i mbledhin kutitë e t’i manipulojnë ato, më e rëndësishme është që të ndalet kjo mënyrë e manipulimit. Një president i zgjedhur me vota të tilla, në mënyrë të tillë duke i mbledhur kutitë nëpër rrugica, nëpër shtëpi, nëpër vende të fshehta, nuk është asgjë tjetër, veçse proces jolegjitim dhe institucione jolegjitime”, tha ai.

Ndërkaq presidenti i vendit, Hashim Thaçi, në një intervistë për KosovaPress, pati deklaruar se institucionet e vendit do të marrin vendim për mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, mbi bazën e Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi, si dhe në bashkërendim me bashkësinë ndërkombëtare.

Thaçi: Vendimi për zgjedhjet serbe në Kosovë, sipas Kushtetutës

“Është një paradoks që përderisa vet serbët e Kosovës bojkotojnë institucionet, tash kemi një rrethanë të mundësisë për organizimin e zgjedhjeve apo kërkesës për organizimin e zgjedhjeve serbe në Kosovë. Përgjigjen për këtë do ta dhënë institucionet në mënyrë unike në ditët e ardhshme dhe në koordinim me bashkësinë ndërkombëtare. Por, çdo vendim do të jetë i bazuar në Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës e Kosovës…që do të thotë se do të respektohet Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës”, tha Thaçi.

Ndryshe, misioni i OSBE-së në Kosovë, ka bërë të ditur se do të ndërmarrë një operacion të grumbullimit të votave, duke hapur katër qendra grumbullimi dhe degë përkatëse nëpër Kosovë me prani të stafit të OSBE-së, në kontekst të zgjedhjeve presidenciale të Serbisë. Për të ndërmarrë këtë operacion, OSBE bënë të ditur se ka marrë një kërkesë nga Beogradi dhe miratimin e Qeverisë së Kosovës.

OSBE do të jetë bartëse e operacionit në Kosovë, duke përfshirë edhe ruajtjen e materialit të ndjeshëm dhe integritetit të procesit. Procedurat do të jenë të njëjta me ato të viteve të kaluara. Me t’u përmbyllur operacioni, OSBE do t’i bartë votat e grumbulluara në Rashkë dhe Vranje dhe do t’ia dorëzojë ato Komisionit Zgjedhor Republikan (RIK) për procedura të mëtutjeshme.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img