Qeveria e Kosovës ka reaguar ndaj vrasjes së kryetarit të Iniciativës Qytetare, Oliver Ivanoviq, në Mitrovicë.
Përmes një reagimi dërguar mediave, Qeveria ka deklaruar se kjo vrasje e sfidon sundimin e ligjit.
Ata kanë bërë thirrje që qytetarët të bashkëveprojnë me organet e rendit në zbardhjen e rastit, si dhe ka kërkuar nga mekanizmat e sigurisë që të kapin sa më shpejtë autorët e krimit.
Ky është reagimi i plotë:
Qeveria e Republikës së Kosovës dënon ashpër aktin e vrasjes me armë zjarri të politikanit serb nga Kosova, Oliver Ivanoviq, përpara selisë së partisë së tij në pjesën veriore të Mitrovicës.
Qeveria e Republikës së Kosovës vlerëson se akti i vrasjes së Oliver Ivanoviqit sfidon sundimin e ligjit dhe çdo përpjekje për të vendosur rendin në gjithë territorin e Kosovës.
Dhuna është e papranueshme pa marrë parasysh nga kush vjen dhe ndaj kujt drejtohet.
Qeveria fton të gjithë qytetarët që të bashkëpunojnë me organet e rendit në zbardhjen e rastit dhe njëkohësisht nga mekanizmat e sigurisë kërkon që të kapin autorët e krimit dhe t’i sjellin ata përpara drejtësisë.