-2.7 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Buy now

spot_img

Qeveria e Kosovës: Anulimi i akteve ligjore të Kosovës nga Serbia, veprim i kotë

Qeveria e Kosovës i konsideron të kota dhe të pakuptimta reagimet në Serbi në lidhje me miratimin e Ligjit për Trepçën nga ana e Kuvendit të Kosovës. Për autoritetet në Prishtinë, pohimet e kreut të qeverisë serbe se do të anulojë vendimet e Prishtinës, që ndërlidhen me Trepçën, janë të pakuptimta dhe pa efekt juridik dhe praktik.

Qeveria e Serbisë ka kumtuar vendimin për, siç thuhet, anulimin e të gjitha pasojave ligjore dhe veprimeve të autoriteteve të Kosovës, të cilat kanë të bëjnë me statusin e Trepçës.
Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u ka thënë medieve në Beograd se “nuk e kupton veprimin e Prishtinës për Trepçën”.
“Nuk e kuptoj se çka kanë arritur me këtë?! Çka dëshirojnë të fitojnë dhe të bëjnë?! Cila është ideja, që të thonë se e gjithë prona është e tyre?! – Nuk është”, ka theksuar kryeministri serb Vuçiq.
Dilemave të ngritura nga kryeministri i Serbisë u është përgjigjur Prishtina zyrtare, duke i cilësuar të pakuptimta qëndrimet e Beogradit karshi pasurisë së Kosovës.
Sokol Havolli, shef i kabinetit në zyrën e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë ka thënë se vendimet e tilla që janë marrë nga Beogradi zyrtar janë të pakuptimta për institucionet e Kosovës.
“Ky është një vendim i pakuptimtë dhe i paefekt në Kosovë, pasi që ligjin për Trepçën e ka nxjerr Kuvendi i Kosovës dhe është një Ligj i cili është i barabartë për të gjithë qytetarët e Kosovës, pa marrë parasysh nëse shtrihen në pjesën jugore, perëndimore apo çfarëdo pjese të Republikës së Kosovës”, tha Havolli.
Ndërkohë, edhe nismat e autoriteteve të Beogradit për të dërguar vendimin e Kuvendit të Kosovës për Ligjin për Trepçën në arbitrazh, Havolli i quan të pakuptimta.
“Çështjet e pasurisë së Kosovës që gjenden në territorin e Kosovës nuk janë çështje që edhe mund të adresohen në gjykata të ndryshme të arbitrazhit dhe të gjitha këto janë vendime apo komente të pakuptimta”, theksoi Havolli.
Në anën tjetër, kryeministri serb Vuçiq ka potencuar se autoritetet në Prishtinë, siç ka thënë ai, nuk mund të grabisin Trepçën.
“Nuk lejojmë që të preket e drejta për pronën. Nuk e japim formalisht – juridikisht, pa dhunë. Vetëm se po bëj pyetje, pse e keni bërë këtë? Për shkak të situatës së brendshme?”, ka pyetur Vuçiq, i cili ka porositur punëtorët serbë të Trepçës, se “nuk do t’i lë në baltë”.
Ndryshe, Kuvendi i Kosovës ka miratuar javën e kaluar Ligjin për Trepçën.
Trepça, sipas ligjit, do të organizohet si shoqëri aksionare, në të cilën aksionar kryesor do të jetë Qeveria me 80 për qind të aksioneve, dhe 20 për qind do të jenë aksione të punonjësve të Trepçës.
Ligji për Trepçën ka ngjallur kundërshtime te partnerët në koalicionin qeverisës, Lista Serbe. Pas këtij vendimi ata kanë ngrirë pjesëmarrjen e tyre në punën e institucioneve të vendit.
Zëvendëskryeministri Branimir Stojanoviq dhe dy ministrat serbë në Qeverinë e Kosovës, dhe deputetët serbë nga radhët e Listës Serbe, kanë marrë vendim të “ngrijnë” pjesëmarrjen e tyre në punën e Qeverisë së Kosovës, në komisionet ndërqeveritare dhe në organet e tjera qeveritare, me vlerësimet se “pjesëmarrja në to do të ishte vetëm formale dhe jo edhe thelbësore”.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img