Site icon PrishtinaPress

Qeveria e koncentruar në dialog – përmbush 42% të agjendës legjislative, kritikohet për mosplanifikim

Qeveria e Kosovës për gjashtë mujorin e parë këtij viti ka përmbushur vetëm 42 për qind të agjendës legjislative. Në lidhje me këtë njohës të çështjeve politike në vend po vlerësojnë se është bërë planifikim i dobët.

Sipas tyre, kjo tregon që Qeveria e Kosovës nuk ka qenë e fokusuar dhe e përkushtuar në obligimet e saja, por në dialog e çështje të tjera më me pak interes për vendin.

Naim Jakaj, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se Qeveria nuk ka arritur ta zbatojë programin legjislativ, përderisa në proceset e konsultimit publik nuk kanë kaluar 50 për qind të projektligjeve.

Jakaj tha se Qeveria është e preokupuar me çështjet nacionale siç është dialogu Kosovë-Serbi.

“Qeveria nuk ka arritur ta zbatojë programin legjislativ as 43 për qind, përderisa në proceset e konsultimit publik nuk ka arritur ta kalojë masën prej 50 për qind të projektligjeve të cilat e kanë kriter dhe standard ndërkombëtar që ato projektligje të jenë pjesë e konsultimit publik me palët e interesit”.

“Praktika ose nëse e shohim çdo vit, shohim që Qeveria nuk ka arrit të kalojë 42 përqindëshin e zbatimit të programit legjislativ. Vitin e kaluar ka qenë 41.5 për qind e këtë viti është 42 për qind. Për këtë arsye e konsiderojmë që kjo është një punë e dobët në planifikim ose planifikim ambicioz të cilën nuk arrin ta përcjellë me trupat e veta ose ka mungesë të resureve humane ose Qeveria është e preokupuar me çështjet nacionale siç është dialogu Kosovë-Serbi, veriu dhe një pjesë e ministrive nuk e ka fokusin te projektligjeve të caktuara”, tha ai.

Jakaj tha se më së shumti projektligje sa i përket agjendës kanë zbatuar Ministria e Arsimit,  e Bujqësisë, e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor e ajo e Industrisë.

Ndërsa ajo me nivelin më të ulët të zbatimit të programit legjislativ është Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

“Sa i përket nivelit të zbatimti të programit legjislativ nga ana e ministrive përkatëse, për gjashtë mujorin e parë e kemi Ministrinë e Arsimit, Zyrën e Kryeministrit, Ministrinë e Bujqësisë, Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor, Ministrinë e Industrisë dhe ajo në nivelin më të ulët të zbatimit të programit legjislativ kemi Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës që nga katër Projektligje ata e kanë miratuar vetëm një dhe atë jashtë planifikimit legjislativ. Pra nëse do të kishte qenë brenda planifikimit legjislativ, do të ishte niveli i zbatimit zero. Ndërsa sa i përket projektligjeve të cilat ministritë i kanë planifikuar por që nuk i kanë miratuar janë; Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal dhe Ministria e Ekonomisë”, tha ai.

Exit mobile version