Nuk dolën në punë, por pagat i morën. Në vitin 2021, më shumë se 962 mijë euro u paguan për pagat e 199 ish-pjesëtarëve të strukturave ilegale të ashtuquajturës “Mbrojtja civile”, pa ofruar dëshmi për vijueshmërinë dhe punën që ata bëjnë.
“Gjatë vitit 2021, Qeveria kishte realizuar pagesa në vlerë prej 962,646 euro për 199 punonjës (të komunitetit serb të angazhuar me Marrëveshjen e Brukselit) të cilët nuk evidentohen për vijueshmëri në punë dhe nuk zhvillojnë aktivitete në kuadër të Ministrive përkatëse” – thuhet në raportin e auditorit.
Sipas Auditorit, këto pagesa janë bazuar në Marrëveshjen e Brukselit përkatësisht në Ligjin për ratifikimin e marrëveshjes së parë ndërkombëtare të parimeve që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.
Qeveria e Kosovës me vendim 22 korrik 2015 ka aprovuar konkluzionet e dakorduara për shpërbërjen e të ashtuquajturës “Mbrojta Civile” e cila ka funksionuar në komunat veriore të Kosovës, duke i mbështetur zotimet e përcaktuara me këto konkluzione.
Mirëpo, Ministritë përkatëse i kanë vendosur në listen e pagave këtë kategori të punonjësve para krijimit të kushteve/hapësirave fizike për punë, sistemim, angazhim dhe monitorim të tyre, që i bën këto pagesa të parregullta.
Numri më i madh i tyre evidentohet në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapsinor dhe Infrastrukturës./kallxo.com/