Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa dhe kabineti qeveritar, me rastin e shënimit të nëntë vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, bënë homazhe te shtatorja e presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.
Pas homazheve, kryeministri Mustafa vlerësoi lartë figurën e Presidentit Rugova, luftën heroike të UÇK-së dhe Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe të gjithë atyre që u flijuan për pavarësinë e Kosovës.
“Jemi së bashku me zëvendëskryeministrin Kuçi, me ministrat e Qeverisë së Republikës së Kosovës për t’i bërë nderime presidentit Ibrahim Rugova. Ne si institucione të Republikës së Kosovës vlerësojmë lartë figurën e presidentit Rugova dhe kontributin e tij në shtetndërtim, ashtu siç vlerësojmë shumë lartë luftën heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe të gjithë atyre që u flijuan qoftë me mendje, qoftë me jetë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe për ndërtimin e shtetit të Kosovës”, tha kryeministri Mustafa