Pas deklaratave nga ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci se është duke e shqyrtuar mundësinë e kalimit të përgjegjësisë për blerjen e teksteve shkollore te prindërit, ka reaguar edhe zëdhënsja e LDK-së, Sibel Halimi.
Sipas Halimit, prej ditës së marrjes së pushtetit, Lëvizja Vetëvendosje nuk e ka ndërmarrë asnjë veprim me peshë që e ndikon jetën e qytetarëve, për të mirë.
“Në vend se një parti e deklaruar e majtë ideologjikisht, t’i përkushtohet lehtësimit të jetës së qytetarëve, ajo ua ndërlikon e kurthon jetën atyre. Prej ditës së marrjes së pushtetit, Lëvizja Vetëvendosje nuk e ka ndërmarrë asnjë veprim me peshë që e ndikon jetën e qytetarëve, për të mirë.Kjo parti nuk qeverisë, kjo parti e popullistëve po e dëmton vendin nga paaftësia porse po dëshmohet e aftë në manipulimin e turmave dhe në propagandë”, është shprehur ajo.
Tutje Halimi, ka thënë se as vet Qeveria nuk di saktë se si do të funksionojë kjo skemë.
“Në prag të vitit shkollor, prindërve u kumtohet lajmi që nuk është arritë marrëveshja me shtëpitë botuese për tekstet shkollore, për shkak të çmimit dhe ata duhet të aplikojnë online për rimbursim nga Qeveria të teksteve shkollore. Kush ka qasje në internet dhe kush ka xhirollogari të hapur.Për të tjerët nuk dihet së si do të veprohet. Por, as Qeveria nuk di saktë se si do të funksionojë kjo skemë. Thjesht e tha vet Ministrja e Arsimit: Nuk di”, ka shkruar Halimi.