Serbët nga veriu i Kosovës kanë kaluar natën në barrikada, situata për momentin është e qetë, por tejet e tensionuar. Një shpërthim i fortë është dëgjuar në veri të Mitrovicës rreth tre të mëngjesit. Sipas informacioneve të fundit, vendkalimet administrative Jarinje dhe Bërnjak janë ende të mbyllura, policia e Kosovës nuk e lejon kalimin as me vetura dhe as në këmbë, raporton Kosovo Online, përcjell Insajderi.
Kujtojmë se qytetarët në veri të Kosovës filluan të grumbullohen dhe të vendosin barrikada pasi dje u arrestua Dejan Pantiq.
Pantiq, i cili së fundi është larguar nga Policia e Kosovës, kur serbët kanë dalë nga institucionet, është arrestuar në vendkalimin administrativ, teksa po kthehej nga drejtimi i Rashkës dhe në momentin e arrestimit ka qenë me gruan e tij.
“Shërbimet e huaja u përpoqën t’i ngulnin diçka, por nuk ia dolën. Dhe tani nuk dinë si të dalin nga kjo, sepse duhet të gjejnë dy gënjeshtarë – dëshmitarë, ashtu siç ua kanë grabitur banesat serbëve. Ata nuk dinë si të dalin nga kjo histori”, tha mbrëmë presidenti Vuçiq.