Site icon PrishtinaPress

Qështja e personave të zhdukur gjatë luftës, Serbia vazhdon të mos bashkëpunojë

Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Andin Hoti akuzoi sërish palën serbe për mos bashkëpunim për gjetjen e personave të zhdukur gjatë luftës së fundit. Ende nuk dihet fati edhe i mbi 1600 personave të rrëmbyer nga policia dhe ushtria serbe para 23 vitesh. Hoti tha se Serbia ende nuk pranon të nënshkruajë marrëveshje për shkak të termave të përdorur, ndërsa shtoi se nuk do të pranojë të takohet me Veljko Odaloviq, kryetar i Komisionit për Personat e Zhdukur në Qeverinë e Serbisë, për siç tha ai dyshimet se është ai pjesëmarrës në krimet ndaj shqiptarëve.

Në konferencën për fundvit, Hoti tha se në Kosovë vetëm këtë vit është gërmuar në 24 lokacione pa ndonjë rezultat.

“Janë trajtuar mbi 40 raporte analitike gjatë këtij viti ndërkaq në kuadër të raporteve analitike dhe në kuadër të informatave të tjera që i kemi pasur 24 lokacione janë gërmuar në territorin e Kosovës brenda vitit 2022. Kjo nënkupton që mbi 2700 lokacione janë gërmuar në territor të Kosovës, kjo i shtohet 2700-ës dhe nuk e di nëse ka ndonjë hapësirë apo ndonjë lokacion tjetër që mund të gërmohet në territor të Kosovës sepse janë çdo 4 kilometra katrorë që është gërmuar në territor të Kosovës dhe rezultatet janë këto që janë”, deklaroi Hoti.

Kreu i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur tha se këtë vit janë dërguar për në Hagë mbi 71 mostra për identifikim, ndërsa janë gjetur mbetjet e 17 individëve.

“Mbi 17 individëve iu janë gjetur mbetjet mortore, të personave që janë dërguar pastaj mostrat, mbi 71 mostra janë dërguar në Hagë për analiza të ADN dhe ende nuk i kemi pranuar rezultatet e tyre. Nuk e dimë sa mund të jenë personat e identifikuar pas këtyre”, tha Hoti.

Kosova kishte kërkuar largimin nga delegacioni i bisedimeve për të pagjeturit Veljko Odaloviq, kryetar i Komisionit për Personat e Zhdukur në Qeverinë e Serbisë, dhe Hoti thotë vijojnë të qëndrojnë pas kësaj kërkese.

Ai tha se nëngrupet punuese mbajnë takime me palën serbe dhe ato te vendeve të tjera të Ballkanit, ndërsa ai nuk do të takohet me Odaloviqin. Sipas tij, takim në nivel kryetarësh të Komisioneve të të dyja vendeve do të ketë në momentin e parë kur të zëvendësohet Odaloviq.

“Të vetmet takime që nuk po mbahen janë takimet e grupit punues në mes meje dhe në mes të zotëri Odaloviq në Serbi për shkak se Serbia ende një vit e gjysmë që unë jam në këtë Komision nuk ka reflektuar, jo vetëm ta shkarkojë, por edhe ta hetojë zotëri Odaloviq për dyshimet që ne i kemi, dhe ai dyshohet për krime lufte në Kosovë, prandaj e konsiderojmë jo të denjë që ai të përfaqësojë, ose të jetë homolog i imi në Serbi, mirëpo kjo nuk nënkupton që s’ka pasur takime mes delegacionit të Kosovës dhe Serbisë. Janë mbi 17 takime të delegacionit të Serbisë dhe palëve të tjera që bashkëpunojmë ngushtë për marrjen dhe dhënien e informacioneve të ndryshme për persona të zhdukur”, tha Hoti.

Hoti tha se insistojnë që gërmimet të vazhdojnë në disa lokacione në Serbi pasi ka dyshime se ende ka mbetje mortore.

Ai përmendi rastin e Shtavallës ku tha se lokacioni është mbyllur në mënyrë të njëanshme pasi për një periudhe prej dy ditësh i është kërkuar të bëhen verifikimet ndërsa shtoi se një gjë e tillë nuk është e mundur.

“Pse ne insistojmë në Shtavallë është përveç sugjerimeve të ekspertëve tanë, edhe të ekspertëve të EULEX-it, por ka informacione të shumta prej dëshmitarëve serbë të asaj kohe që kanë pasur autobusë me njerëz të dërguar në këtë lokacion, por përveç kësaj ju e keni parë edhe ministrin e Jashtëm të Serbisë, Daçiq, që publikisht ka kërcënuar që cilido serb që jep ndonjë informacion pikërisht për rastin e Shtavallës. Prandaj kemi insistuar vazhdimisht të futemi edhe njëherë në lokacionin e Shtavallit dhe shpresoj që vitin e ardhshëm bashkë me ekipet tona dhe të Serbisë të vazhdojmë të gërmojmë edhe në lokacione tjera të cilat i kemi sugjeruar prej EULEX-it”, vijoi Hoti.

Hoti tha se në Serbi nuk është i dyshuar vetëm Shtavalla por edhe disa lokacione të tjera.

“Janë trajtuar edhe disa lokacione të tjera të mundshme në territor të Serbisë që është regjioni i Rashkës, Novi Pazarit, Surdulicës dhe, ne po tentojmë të rikthehemi sepse ekspertët vlerësojnë që nuk është përfunduar ende gërmimi i përgjithshëm në territorin e Batajnicës, Rudnicë e Petrovosellë, ju e dini që janë gjetur mbi 900 persona të zhdukur në vitin 2000-2002 në këto lokacione dhe ne mendojmë që mund të ketë ende prandaj po shqyrtojmë mundësinë, dhe duhet leja e palës serbe, që të shkojmë të gërmojmë në këto lokacione”, deklaroi Hoti.

Në lidhje me takimet në kuadër të dialogut, Hoti tha seprej shtatorit të vitit të kaluar ka marrë pjesë në takime në Bruksel. Ai tha se deklarata e përbashkët që është synuar të nënshkruhet, e që gjerësisht njihet si marrëveshje për të pagjeturit, po refuzohet nga pala serbe.

“Fatkeqësisht nuk kemi arritur në një marrëveshje deri më sot, janë mbajtur mbi 8 takime në Bruksel pikërisht për këtë deklaratë pika kryesore, edhe pse ka të tjera, pse nuk kemi arritur një marrëveshje sepse ne kemi kërkuar trajtim dinjitoz të viktimave, ne kemi kërkuar që të quhen ‘persona të zhdukur me forcë’ dhe jo vetëm ‘persona të zhdukur’. Natyrisht ne nuk kemi mundur të heqim fjalën ‘persona të zhdukur’ sepse ka edhe persona të zhdukur pas luftës mirëpo ne kemi kërkuar që të përfshihet termi ‘persona të zhdukur me forcë’, pala serbe ka refuzuar një gjë të tillë që nuk e kuptoj ende arsyen”, tha Hoti.

Në lidhje me punët që presin vitin e ardhshëm, Hoti u shpreh se janë shumë të varur nga informacionet. Sipas tij, qasja në arkivat sekrete të Serbisë do t’i ndihmonte shumë në punën e tyre.

“Më thënë që na është ngushtuar pak puna, na është ngushtuar marrja e informacioneve sepse kanë kaluar 23 vite dhe faktori kryesor që determinon është koha. Dëshmitarët kanë filluar të vdesin. Informacionet janë çdo ditë e më të pakta prandaj po insistojmë shumë që më fund t’i thërrasim arsyes dhe përmes bashkërisë ndërkombëtare të kemi qasje në arkivat sekrete të Serbisë dhe nëse arrijmë t’i sigurojmë ato, sepse as këtë nuk mund ta dijë, nëse arrijmë të bindim Serbinë që duhet për hir të humanitetit t’i sigurojmë këto informacione, ne mendojmë që kemi shumë punë për vitin e ardhshëm”, tha Hoti.

Kreu i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur foli edhe për mbi 350 mbetje mortore në Murgun e Prishtinës por tha se ato nuk i përkasin të gjithë luftës së fundit dhe datojnë shumë më herët, pavarësisht se janë duke bërë verifikimet e nevojshme.

Ai tha se ka pasur raste edhe të keq identifikimit nga familjarët menjëherë pas luftës, kur janë varrosur persona bazuar në veshjen e tyre, por që në të vërtetë kanë qenë persona të tjerë. Ai ka refuzuar të flasë me emra për lokacione.

Exit mobile version