Site icon PrishtinaPress

Qëndrimi ulur për kohë të gjatë ju rrezikon shëndetin

Bëni një ecje të lehtë çdo 30 minuta, thonë ekspertët. Nuk ka rëndësi sa stërviteni, qëndrimi ulur për periudha të gjata kohe është një faktor rrezikues, ka zbuluar një studim i ri i publikuar të hënën tek Annals of Internal Medicine.

Ka një lidhje direkte mes kohës së shpenzuar ulur dhe rrezikut për vdekje të parakohshme nga çdo shkaktar, thonë hulumtuesit shkencorë, bazuar tek një studim i kryer tek 8000 persona.

Me rritjen e kohës së qëndrimit ulur, rritet edhe rreziku për vdekje të parakohshme.

Lajmi i mirë: Njerëzit që çohen çdo 30 minuta kanë rrezik më të ulët për vdekje të parakohshme.

“Ulu më pak, lëviz më shumë” është ajo çka Shoqata Amerikane e Zemrës na rekomandon të gjithëve të bëjmë. Por, ky udhëzim i thjeshtë nuk mjafton, thotë Keith Diaz, autori kryesor i studimit të ri dhe hulumtues shkencor tek Departamenti i Mjekësisë pranë Universitetit të Kolumbisë.

“Është si t’i thuash dikujt vetëm “stërvitu” pa i thënë si”, thotë Diaz.

Udhëzimet mbi stërvitjen janë shumë precize, shpjegon ai. Për shembull, Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve rekomandon që të rriturit të bëjnë ushtrime aerobike me intensitet të moderuar për 2 orë dhe 30 minuta çdo javë, plus aktivitetet për forcimin e muskujve 2 ose më shumë ditë në javë.

“Duam udhëzime të njëjta edhe për qëndrimin ulur”, thotë Diaz.

Një shembull do të ishte: “Për çdo 30 minuta qëndrim ulur, çohu dhe lëviz/ec për 5 minuta për të ulur rreziqet shëndetësore nga qëndrimi ulur”, thotë ai, duke shtuar që ky studim na afron një hap larg udhëzimeve të tilla, megjithatë duhet të bëhen më shumë kërkime shkencore për të vërtetuar këto rezultate.

Exit mobile version