Site icon PrishtinaPress

Qëllohet me armë ish-kryeministri japonez derisa po mbante fjalim

Ish-kryeministri japonez Shinzo Abe është qëlluar dy herë me armë zjarri derisa ishte duke mbajtur një fjalim në qytetin Nara. 

E shtëna e dytë e goditi atë në shpinë, duke e rrëzuar përtokë. Sipas raportimeve, sulmuesi u arrestua menjëherë, shkruan BBC.

Ish-guvernatori i Tokios, Yoichi Masuzoe, tha në një postim në Twitter se 67-vjeçari Abe ishte në gjendje arresti kardiopulmonar. Ky term përdoret shpesh në Japoni përpara se një vdekje të konfirmohet zyrtarisht. 

“Ish-kryeministri Abe u qëllua rreth orës 11:30 me orën lokale në Nara. Një burrë, që besohet se kreu sulmin, është arrestuar. Gjendja e ish-kryeministrit Abe aktualisht nuk dihet”, u tha gazetarëve shefi i kabinetit, Hirokazu Matsuno.

“Cilado qoftë arsyeja, një akt i tillë barbar nuk mund të tolerohet kurrë dhe ne e dënojmë ashpër atë”.

Dëshmitarët okularë treguan se e panë të dyshuarin me një “armë të gjatë”. 

Videot që po qarkullojnë në mediat sociale, të cilat nuk mund të verifikoheshin, shfaqin një grumbull njerëzish të grumbulluar rreth Abe. Tanimë ai është dërguar me urgjencë në spital.

Abe po mbante fjalim për një kandidat në Nara kur ndodhi sulmi dhe ishte duke iu bërë thirrje votuesve që të mbështesin partinë e tij në zgjedhje. 

Ai ishte kryeministri më jetëgjatë në pushtet. Abe ka shërbyer për një vit më 2006 dhe më pas përsëri nga viti 2012 deri më 2020.

Exit mobile version