Site icon PrishtinaPress

Qehaja tregon pse duhet të bëhet ushtria me ndryshim ligji

Shtetet e Bashkuara të Amerikës po kërkojnë që transformimi i Forcave të Armatosura të Kosovës në Ushtri të bëhet vetëm përmes ndryshimeve Kushtetuese, përderisa propozimi i presidentit të Kosovës ka qenë që të formohet ushtria përmes ndryshimit të ligjit.

Një gjë e tillë po bëhet pasi, presidenca është në dijeni se nëse shkohet me ndryshim të Kushtetueses nuk do ta ketë përkrahjen e Listës Serbe.

Kështu tha për Indeksonline, njohësi i çështjeve Ushtarake dhe të Sigurisë, Ramadan Qehaja i cili shton se duhet t’ua bëjmë të qartë faktorëve ndërkombëtar pse po kërkojmë formimin e ushtrisë përmes ligjit.

Sipas tij, transformimi i FSK-së në Ushtri përmes ligjit është alternativa B prandaj nuk duhet pritur asnjë moment.

“Jemi në një vonesë të madhe të formimit të Forcave të Armatosura të Kosovës dhe kujtoj që çdo pritje apo lënie anash e kësaj çështje do të ishte gabim shumë i madh. Lidhur me këtë unë mendoj që kemi pritur mjaft. Që tri vite është dashur të përfundojë kjo çështje. Unë kujtojë pasi që Lista Serbe nuk do i votojë ndryshimet kushtetuese që kanë të bëjnë me FAK, një ligj për Forcat e Sigurisë së Kosovës është e mundur që do avancojë në kryerjen e alternativave ushtarake, kështu që kjo do të ishte alternativa B dhe duhet të shkohet me të. Kuptohet se kjo duhet t’iu shpjegohet në mënyrë të qartë gjithë faktorëve ndërkombëtarë pse ne kërkojmë në këtë mënyrë”, ka thënë Qehaja.

Sipas tij, në rast se ndërkombëtarët nuk arrijnë që ta bindin Serbinë për ndryshimin kushtetues, atëherë nuk duhet pritur që të bëhet formimi i ushtrisë me ligj.

Në anën tjetër, Qehaja thotë se është pritur tepër gjatë për këtë iniciativë, e cila edhe po të bëhet tash do të nevojiten 7 deri në 10 vite për t’u përmbyllur i gjithë ky proces.

“Unë kujtoj se Beogradi zyrtar nuk do lejojë Listën Serbe që ta votojë ndryshimin kushtetues që ka të bëjë me Forcat e Armatosura të Kosovës. Nëse është ashtu, pse të mos shkojmë me ligj dhe këtë çështja ta ngrisim në nivel më të lartë. Duhet një proces mjaft i gjatë deri në formimin e tërësishëm të FAK, do të thotë, sipas mendimit tim nevojiten 7 deri në 10 vite që të përmbyllet ky proces dhe nëse është ashtu, shtrohet pyetja pse kemi pritur deri më tani dhe pse duhet pritur edhe më tutje”, ka shtuar ai.

Ndryshe, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Greig Delaëie dje ka thënë se është optimist se ushtria e Kosovës mund të bëhet sivjet, duke ritheksuar se kjo gjë duhet bërë nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese e jo nëpërmjet ligjit.

Exit mobile version