Ish-komandanti i Policisë së Kosovës dhe deputeti aktual i PDK-së, Rashit Qalaj ka thënë se është përgjegjësi e institucioneve humbja e dëshmive për rastin Dehari.
Duke folur në emisionin Pressing, Qalaj ka deklaruar se këto dëshmi do të duhej të ishin shumë të sigurta.
“Provat kanë qenë nën kujdesin e pushtetit. Unë nuk kam qenë kurrë as nuk e di se si ruhen atje, por besoj që këto dëshmi do të duhej të ishin shumë të sigurta. Nuk dihet kurrë qe sa mungojnë ato prova në frigoriferët ku kanë qenë”, ka thënë ai gjatë emisionit.
Qalaj ka thënë se është për keqardhje që rasti Dehari ende nuk ka marrë një epilog nga drejtësia. Ai ka theksuar se vdekja e aktivistit Astrit Dehari ishte tronditje për të gjithë.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka deklaruar sot se është informuar për zhdukjen e mostrave nga Laboratori i toksikologjisë.
Sipas saj, në laborator kanë qenë 15 epruveta me gjak, një e urinës dhe një e lukthit. 12 epruveta me gjak, një e urinës dhe një e lukthit janë zhdukur.
Megjithatë, nuk dihet se kur mund të jenë marrë këto mostra, pasi mostrat nuk kontrollohen pos kur një prokuror i kërkon dhe ato nuk janë shikuar që prej tetorit të vitit të kaluar.