Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar në lidhje me përdorimin e fjalës “diletant” ku LVV-ja është ankuar në PZAP.
Hoti, përmes një postimi në facebok është shprehur se nuk ka pasur qëllim fyes, kërcënues apo tentativë për nxitje të urrejtjes.
“Për sqarim të opinionit, fjalori i gjuhës shqipe thotë:
diletánt,-i emër i gjinisë mashkullore; numri shumës; -ë(t)
1. amator.
2. me kuptim keqësues; ai që merret me veprimtari në fushën e shkencës, të artit etj. pa pasur përgatitjen e nevojshme: ra në duar diletanti”, ka shkruar Hoti.
Ndërsa theksoi se PZAP-ja e shpalli të pabazë ankesën, pasi sipas tij nuk ka pasur shkelje të ligjit në përdorimin e kësaj fjale.
“Poshtë gjeni vendimin e PZAP-së, i cili e shpalli të pabazuar ankesën kundër meje dhe ka vlerësuar se nuk ka pasur shkelje të ligjit në përdorimin e kësaj fjale. Kjo është një fjalë konform lirisë së shprehjes dhe, si e tillë, është plotësisht e drejtë e garantuar nga Kushtetuta.
Nuk jam fajtor pse këta nuk e kuptojnë fjalorin e pasur të gjuhës shqipe. Drejtësia triumfon”, ka shkruar Hoti.