-1 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Buy now

spot_img

Putini përfundon vizitën në Kinë: Një botë shumëpolare është duke u krijuar para syve tanë

Presidenti rus Vladimir Putin përfundoi vizitën dy-ditore në Kinë të premten, duke theksuar lidhjet strategjike në rritje mes dy vendeve, si dhe marrëdhëniet e tij personale me udhëheqësin kinez Xi Jinping, ndërsa ata po përpiqen të ofrojnë një alternativë ndaj ndikimit global të Shteteve të Bashkuara.

Zoti Putin vlerësoi rritjen e tregtisë dypalëshe gjatë një vizite në panairin Kinë-Rusi në qytetin verilindor kinez të Harbinit. Ai u takua me studentë në Institutin e Teknologjisë në Harbin, i cili bashkëpunon ngushtë me Ushtrinë Çlirimtare Popullore të Kinës.

Në Harbin, kryeqyteti i provincës kineze Heilongjiang, dikur jetonin shumë rusë dhe qyteti ka ruajtur një pjesë të historisë në arkitekturën e tij, si Katedralja qendrore e Shën Sofisë, një ish kishë ortodokse ruse.

Duke nënvizuar natyrën personale të marrëdhënieve, zoti Putin tha se Instituti Teknologjik i Harbinit dhe Universiteti Shtetëror i Shën Peterburgut do të hapin një qendër të përbashkët arsimimi për 1500 studentë. “Jam i sigurt se kjo qendër do të bëhet flamurtar i bashkëpunimit ruso-kinez në shkencë dhe arsim”, tha ai.

Duke folur me gazetarët, Putin falënderoi homologun e tij kinez Xi dhe i vlerësoi bisedimet e tyre si “përmbajtësore”, duke thënë se ai kaloi “pothuajse një ditë të tërë, nga mëngjesi deri në mbrëmje” me udhëheqësin kinez dhe zyrtarë të tjerë në Pekin të enjten.

Partneriteti midis Kinës dhe Rusisë “nuk është i drejtuar kundër askujt”, tha zoti Putin duke iu referuar Perëndimit. “Ai synon një gjë: krijimin e kushteve më të mira për zhvillimin e vendeve tona dhe përmirësimin e mirëqenies së popullit të Kinës dhe Federatës Ruse”.

Por ai nuk arriti të shmangte kritikat ndaj Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera që kundërshtojnë marrëdhëniet Moskë-Pekin, duke thënë se një “botë shumëpolare është duke u krijuar para syve tanë”.

“Është e rëndësishme që ata që po përpiqen të ruajnë monopolin e tyre mbi vendimmarrjen në botë për të gjitha çështjet … të bëjnë gjithçka në fuqinë e tyre për t’u siguruar që ky proces të lëvizë natyrshëm”, tha ai.

Rusia dhe Kina kanë folur shpesh për krijimin e një rendi “botëror shumëpolar” në përgjigje të asaj që ata e shohin si hegjemoni botërore të Shteteve të Bashkuara.

Joseph Torigian, një studiues në Institutin Hoover të Universitetit të Stanfordit, tha se mesazhi i dërguar nga Kina dhe Rusia ishte i qartë: “Në këtë moment, ata po i kujtojnë Perëndimit se mund të jenë sfidues kur të duan”.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img