Rektori i Universitetit të Prishtinës, Naser Sahiti, do të njoftojë sot për zhvillimet e fundit në UP me anë të një konferencë për medie.
Sipas njoftimi konferenca do të mbahet në ora 14:00 në Senatin e UP-së.
“Të nderuar përfaqësues të mediave,Ftoheni të merrni pjesë në konferencën për media, në të cilën rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. dr. Naser Sahiti, do të njoftoj për zhvillimet e fundit në UP.Vendi: Salla e Senatit Data: 20 tetor 2022 Ora: 14:00”, thuhet në njoftim.
Të mërkurën, 19 organizata të shoqërisë civile kanë dalë me një komunikatë të përbashkët për, siç thanë, kundërshtimin e inicimit për të shkarkuar rektorin e Universitetit të Prishtinës, Naser Sahiti, duke thënë se kjo po bëhet me akuza të pabaza.
“Ditëve të fundit ka pasur ndërhyrje nga zyrtarë të institucioneve shëndetësore, të afërt me partinë në pushtet, të cilët kanë ushtruar presion për ndryshimin e rregulloreve të Universitetit të Prishtinës, ashtu që ato t’u përshtaten atyre me qëllim të punësimit apo avancimit në pozita më të larta akademike”, thuhet në deklaratë.
Këto organizata thonë se kjo nuk është hera e parë që partia në pushtet përdor metodën e ndërrimit të rregullativës me qëllim të punësimeve dhe avancimeve të njerëzve të saj të afërt në institucione të arsimit.
“Rikujtojmë se para pak muajsh me iniciativë të shefes së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje!, me shmangie nga rregullorja e Kuvendit dhe me procedura të përshpejtuara, është amandamentuar Ligji për Zyrtarët Publikë, me ç’rast u është lejuar deputetëve që të vazhdojnë punën si pjesëtarë të stafit akademik në universitete”, thuhet më tej./Prishtinapress/