Site icon PrishtinaPress

Pushteti lë pa punë edhe një familjar të heroit Ilaz Kodra

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka shkarkuar nga detyra Fadil Kodrën, ushtruesin e detyrës së drejtorit të Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave (AME).

Lajmin për shkarkimin nga detyra të Kodrës e ka konfirmuar Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), në një përgjigje me shkrim për Paparacin të premten.

Vendimin për shkarkimin e udhëheqësit të AME-së e ka nxjerrë ministri Sveçla të enjten, ka bërë të ditur Zyra për Media e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

“Ju njoftojmë se Ministri Sveçla e ka shkarkuar dje nga detyra z. Kodra. Për korrektësi, z. Kodra ka qenë në funksionin e tij me vendim si Ushtrues Detyre i Drejtorit dhe jo Drejtor i Përgjithshëm i AME-së”, ka thënë një zëdhënëse e MPB-së për Paparacin.

Sipas Ligjit për Shërbimin Civil, ushtruesi i detyrës së agjencisë nuk mund të shërbejë në funksion në periudhë prej më shumë se tre muajve nga skadimi i mandatit si drejtor.

Fadil Kodra ka shërbyer si udhëheqës i agjencisë që menaxhon me njësitë e zjarrfikësve që nga viti 2010, kur ishte emëruar në këtë pozitë nga Qeveria “Thaçi 1”. Për shtatë vjet, Kodra shërbeu si Kryeshef Ekzekutiv i Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave, ndërkaq në pesë vitet e fundit ka ushtruar pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm në këtë agjenci.

Sipas përshkrimit zyrtar, misioni i AME-së është mbështetja e qytetarëve për tu përgatitur, mbrojtur dhe reaguar nga të gjitha rreziqet e mundshme, kryesisht ato natyrore.

Drejtori i shkarkuar nga detyra është familjari i Ilaz Kodrës, Komandantit të Brigadës 114 të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili ra heroikisht gjatë luftën për çlirimin e Kosovës më 30 prill, 1999.

Paparaci ka tentuar të kontaktojë me Fadil Kodrën të premten, por ai ka qenë i paqasshëm në telefon.

Në muajin maj të këtij viti, Posta e Kosovës suspendoi nga puna Kimete Kodrën, bashkëshorten e Ilaz Kodrës.

Sipas njoftimit të Postës, në janar këtij viti, suspendimi nga puna i Kodrës ndërlidhej me disa kontrolle në zyrat e ndërmarrjes në Skenderaj dhe rajonin e Mitrovicës, në të cilat pretendohet si ishin hasur parregullsi financiare në shumë prej 15 mijë euro.

Kësisoj, Posta e Kosovës inicioi procedurë disiplinore ndaj disa punonjësve të ndërmarrjes, përfshirë edhe ndaj bashkëshortes së ish-Komandantit të UÇK-së.

Kimete Kodra, në një rrëfim për Nacionale.com në fillim të muajit maj, e ka quajtur “komplet të padrejtë” suspendimin e saj nga puna.

“Suspendimi ka qenë komplet i padrejtë. Familja ime nuk kemi të bëjmë asgjë me këto afera. Suspendimi ka ardhur gabimisht, dhe nuk kemi pasur asnjë sqarim”, ka deklaruar ajo për Nacionale.

“Unë mendoj se edhe politika ka gisht këtu. Secili bord që ka ardhur, ka qenë i varur nga politika. Për 20 vjet kam punuar, dhe njerëzit mund të flasin për mua, sepse unë nuk flas për veten”. /Paparaci.com

Exit mobile version