Kryeministri kosovar, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq u pajtuan të zbatojnë ujdinë e arritur në Ohër më 18 mars.
Por, pa kaluar as edhe një muaj është kreu serb, ai i cili po thotë se nuk do të implementojë të gjitha pikat për të cilat u pajtua në Maqedoni.
Vartësi i tij, ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiq – në anën tjetër – gjatë një vizite në Taxhikistan është deklaruar para pak dite se ky shtet nuk do ta njoh kurrë pavarësinë e Kosovës.
Deklarata dhe veprimet e krerëve serbë nga pushteti në Kosovë po konsiderohen si shkelje të ujdisë së Ohrit.
Deputeti i VV-së Agon Batusha ka kërkuar që BE të merret me këtë çështje.
“Faktori ndërkombëtar, ndërmjetesuesit e dialogut do duhet që të merren seriozisht me këto veprime të Serbisë. Në të kundërten, nuk ka kuptim gjithë këto ore, ditë dhe javë të negociatave, nuk kanë kuptim as ndërmjetësimet e nderkombetareve, madje nuk ka kuptim as takimet e metutjeshme”, u shpreh ai për “Front Online”.
Kërkesë të ngjashme kanë edhe nga LDK.
“Në këtë rast edhe deklarimet nga pala serbe se nuk do të zbatojnë atë marrëveshje duhet të trajtohen me seriozitet nga BE si ndërmjetësuese dhe Serbia të ndëshkohet për mos respektim të marrëveshjes. Serbia vazhdimisht ka punuar kundër interesit të Kosovës”, u shpreh për “Front Online” Rrezarta Krasniqi, deputete e këtij subjekti.
Nëse nuk ndodh kjo, nga VV japin një alarm.
“Ndërmjetësuesit dhe faktori ndërkombëtar duhet të jenë më serioz me Serbinë, në të kundërten mund të rrezikohet paqja në Ballkan pikërisht nga vendi të cilin po tentojnë te e ledhatojnë, Serbia”, pohoi Batusha.
Neni 4 dhe 5 i marrëveshjes së dakorduar në Bruksel e i shoqëruar nga aneksi i Ohrit, e përcakton se Kosova dhe Serbia nuk mund ta përfaqësojnë njëra-tjetrën në sferën ndërkombëtare e se Serbia nuk do të kundërshtojë Kosovën për t`u anëtarësuar në asnjë organizatë.
Se Serbia nuk po i përmbahet ujdisë së Ohrit e thekson edhe politologu, Fidan Ukaj.
“Serbia ka filluar me shkeljen e marrëveshjes. Ajo po e vazhdon avazin e vjetër, ku pavarësisht ujdive, ajo i shkel ato. Punon e lobon kundër Kosovës. Madje krijon tensione përmes strukturave paralele në Kosovë, të dirigjuara nga Beogradi e Vuqiçi”, vlerësoi Ukaj.
Lidhur me pohimet e Vuçiq, ka reaguar edhe Blerim Vela, shefi i stafit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.
Ai përmes një cicërime në Twitter ka bërë thirrje për sanksione duke thënë se “është rënë dakord për një kontradiktë të qartë me qëndrimin e BE-së”.