Listës së vrasjeve që lidhen me çështje pronësore në vendin tonë, sot iu shtua edhe një rast. Kjo pasi që mëngjesi i sotëm ishte tragjik për 50-vjeçarin, Sadri Berisha, nga fshati Kijevë i komunës së Malishevës. Ai dyshohet se u privua nga jeta nga djali i vëllait të tij, Berati 38-vjeçar.
Konflikti pronësor pati epilog tragjik për Sadriun, i cili gjeti vdekjen mëngjesin e sotëm në oborrin e shtëpisë së tij në Kijevë. Lidhjen e ngushtë me familjarët e vërteton edhe fakti që shtëpia e tij dhe e personit që dyshohet se e vrau, ndodhen në të njëjtin oborr. Oborr ky, i cili u shndërrua në skenë krimi.
Sipas Policisë, ngjarja e rëndë ka ndodhur në rreth orës 10:00 të mëngjesit, kur edhe kishin marrë informatën se një person atje dyshohet të ketë humbur jetën tragjikisht.
Në vendin e ngjarjes dolën të gjitha njësitë relevante, me ç’rast ekipi mjekësor i Emergjencës konfirmoi vdekjen e 50-vjeçarit, ndërsa Policia u kujdes që i dyshuari të lokalizohet dhe i njëjti të arrestohet në vendngjarje.
“Sot rreth orës 09:50 është raportuar për një rast vrasje në fshatin Kijevë-Malishevë. Në vendin e ngjarjes, menjëherë kanë dalë njësitet e nevojshme policore ku është gjetur një person mashkull (i moshës madhore dyshohej pa shenja jete). Vdekjen e tij e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes. Lidhur me rastin është arrestuar një i dyshuar, mashkull i moshës madhore”, tha Elezaj.
Viktima, Sadriu, jetonte dhe vepronte në Angli. Pak ditë më parë ai ishte kthyer në vendlindje me pushime, të cilat u shndërruan në tragjedi.
Ndërkohë mediat lokale kanë publikuar pamje nga vendi i ngjarjes gjatë kohës që atje gjendeshin Policia, Emergjenca dhe njësitë tjera relevante.
Rrjedha e mëtejme hetimore është duke vazhduar në koordinim me Prokurorin e Shtetit në drejtim të veprës penale të vrasjes.