Site icon PrishtinaPress

Punonjësit policorë vazhdojnë protestën, nëse nuk u plotësohen kriteret

Flota Operative dhe punëtorët e Departamentit Mbështetës Operative në Policinë e Kosovës kanë protestuar të martën në vendet e tyre të punës.

Ata kanë shprehur pakënaqësitë për pagat, saktësisht për mosrregullimin e vlerës së koeficienteve sipas pozitave të tyre.

Kryetari i Sindikatës së Policëve të Kosovës, Imer Zeqiri ka folur për Front Online lidhur me protestën e punonjësve të policisë.

Zeqiri tha se nëse MPB nuk reflekton ndaj pakënaqësive të tyre, do të ketë pengesa në kryerjen e detyrave të rregullta policore.

Ai thotë se do të vazhdojnë me protesta nëse nuk plotësohen kriteret.

“Nëse nuk reflekton Ministria e Punëve të Brendshme, do të ketë pengesa në kryerjen e detyrave të rregullta policore dhe pjesën tjetër të Policisë dhe do të vazhdohet me protesta”, u shpreh ai.

Zeqiri tha se nga ky dikaster u është premtuar përmirësim në koeficientin e pagave deri më 1 korrik, por një gjë e tillë s’ka ndodhur.

“Ministria u ka premtuar që deri më 1 korrik do të bëhet përmirësimi i klasifikimit të koeficientit siç i kanë profesionistët por tani jemi me 16 gusht dhe s’kemi asnjë përgjigje konkrete. Janë të drejta pakënaqësitë e policëve duke theksuar se koeficienti i tyre është i barabartë me një të një mirëmbajtësi”, thotë Zeqiri.

Exit mobile version