Site icon PrishtinaPress

Punimet në segmentin Kijevë-Zahaq, pritet të fillojnë brenda vitit

Janë bërë tetë vjet që kur ka nisur zgjerimi i magjistrales Prishtinë-Pejë dhe ajo ende nuk ka përfunduar.

Rruga nga kryeqyteti deri në fshatin Kijevë është e përfunduar, mirëpo pjesa tjetër deri në Pejë, për t’u kompletuar kështu magjistralja, nuk dihet se kur do të përfundojë.

Sipas Ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj, së shpejti do e nxjerrin për ofertim projektin për segmentin Kijevë-Zahaq  dhe pritet që brenda këtij viti të nënshkruhen kontratat dhe të fillohet me punë.

“Sa i përket autostradës, Prishtinë-Pejë, segmenti Kijevë-Zahaq, siç e dini është projekt me BERZh-in, EIB-n dhe diçka nga buxheti i vendit. Ne jemi në fund të përgatitjeve procedurale për të nxjerr për ofertim. Presim që brenda këtij viti të nënshkruhen kontratat dhe të fillojmë punën edhe në këtë autostradë, e cila fatkeqësisht ka kohë të gjatë që ka filluar”, ka thënë Lekaj.

Ndërsa, sa i përket segmentit Pejë-Zahaq, në të cilët është duke u punuar tash e një kohë, Lekaj thotë se është në fazën përfundimtare.

Ai thotë se janë bërë vonesa në këtë rrugë, porse, si në shumë projekte tjera edhe këtë nuk e kanë gjetur shumë mirë.

“Segmenti Pejë-Zahaq është në fazën përfundimtare të punëve, elementet përcjellëse dhe sinjalizimi poashtu po përfundojnë. Jemi vonuar pak, por si shumë projekte të tjera edhe këtë e kemi gjet jo shumë mirë. Është dashtë të ndërhyhet në disa pika, revidim projekt dhe kështu, por deri në fund të këtij muaji kam besim të plotë se do të lëshohet në tërësi për qarkullim”, ka shtuar ai.

Ndryshe, projekti Kijevë-Zahaq prej 33 kilometrave pritet të kushtojë 200 milionë euro, ku 38 milionë do të ndahen nga buxheti i Kosovës, ndërsa pjesa tjetër nga BERZH dhe Banka Investive Evropiane.

Exit mobile version