Punëtorët e Telekomit të Kosovës, gjatë protestës që kanë mbajtur para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, kanë pasur një përplasje me zëvendëskryeministrin Besnik Tahiri, i cili tha se ata që po e quajnë hajn, ‘janë më hajna se ai’.
“Blerimi ka arritur të përgatisë marrëveshjen. Ne duhet ta marrim këtë vendim në Qeveri më së largu nesër. Për ata që po thonë hajna, po ju them: Ju këqyri në sy, jeni më hajna se unë krejt, se unë jam njeriu më i ndershëm. Nuk jam hajn, jam njeri përfaqësues. Do ta bëjmë zgjidhjen që do ta bëjmë, nesër Qeveria duhet t’ia japë kësaj një zgjidhje”, tha ai.
Deklarata e Tahirit ka ngjallur reagimin e protestuesve, të cilët kanë kërkuar nga ai që të kërkojë falje.
Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Telekomit Lamih Balaj, tha se nuk janë hajna, po që ata janë vjedhur.
“Ne nuk jemi hajna, neve na kanë vjedh zëvendëskryeministër, na kanë vjedhë 500 milionë, i kanë marrë, kurrë nuk kanë marrë përgjegjësi, edhe sot na vjedhin, për çdo ditë na vjedhin. Gjendja është e rëndë, ne nga këtu do të hyjmë në grevë. Shpresoj, sonte e zgjidhni situatën. Sonte jemi të gatshëm me ec përpara, po prej muajit korrik që janë bllokuar xhirollogaritë e deri më sot… Edhe një javë edhe dy javë”, tha ai, raporton KP.
Protestuesit nuk kanë lejuar që zëvendëskryeministri Besnik Tahiri të vazhdojë fjalimin pa kërkuar falje, gjë të cilën ai më pastaj e ka bërë.
Tahiri tha se qysh nesër do të dërgojë një kërkesë te kabineti qeveritar që të gjendet një zgjidhje për Telekomin.
“As unë nuk jam hajn, ata që më kanë thënë hajn, unë nuk jam hajn. Unë do ta dërgoj te Qeveria një email. Do ta dërgoj një email urgjent te kabineti për të arritur një zgjidhje për këtë temë. Ju kërkoj falje nëse dikush u ndie keq. A po ju them një, në qoftë se dikush u ndie keq, ju kërkoj falje, por unë nuk jam hajn e nuk lejoj të më thotë dikush hajn. Tash do ta dërgojmë një email te Qeveria, te kryeministri për shkak se tema është serioze, nuk jemi ne budalla, do ta adresojmë këtë punë dhe të kryhet në afatin më të shkurtë nesër kohor”, tha ai.
E kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, në një konferencë për media tha se për disa ditë do të përmbyllet çështja e Telekomit.