Sindikata e Re e KEK-ut përmes një njoftimi në Facebook ka bërë të ditur se bordi ka miratuar një bonus prej 300 euro neto për fundvit, si dhe një rritje të pagave prej 70 euro me fillim të muajit janar.
Në postimin e bërë, Sindikata e KEK-ut thotë se kjo nuk përmbush plotësisht pritjet e tyre, por duke qenë se kërkesat janë realizuar pjesërisht, protesta që kishin paralajmëruar për nesër nuk do të mbahet.
“Ne vazhdojmë të përkushtohemi për qëllimet tona dhe inkurajojmë mbështetjen tuaj në këtë fazë të negociatave. Bashkësia jonë është forca jonë kryesore në këto momente”, thuhet mes tjerash në njoftim.
Njoftimi i plotë pa ndërhyrje:
Njoftim për punëtorët e KEK-ut:
“Të nderuar kolegë,
Dua të ndaj me të gjithë ju zhvillimet e fundit lidhur me kërkesat tona për ngritje të pagave nëpërmjet një njoftimi të rëndësishëm. Pas bisedimeve të vazhdueshme dhe negociatave me menaxhmentin e KEK-ut, kemi arritur një përparim të rëndësishëm në rrugën tonë drejt një kompensimi më të drejtë për punën tonë.
Bordi ka miratuar një bonus prej 300 eurosh neto për fundvit, si dhe një rritje të pagave prej 70 eurosh që do të nisë nga janari. Në kuptimin tonë, megjithatë, kjo nuk përmbush plotësisht pritjet tona. Mirëpo i rezultat i këtij realizimi të pjesërishëm protesta e paraparë për datën 28.12.2023, me vendim të Kryesisë anulohet.
Ne vazhdojmë të përkushtohemi për qëllimet tona dhe inkurajojmë mbështetjen tuaj në këtë fazë të negociatave. Bashkësia jonë është forca jonë kryesore në këto momente.
Faleminderit për angazhimin tuaj të vazhdueshëm në këtë çështje të rëndësishme. Vazhdojmë të punojmë në mënyrë konstruktive për të siguruar një mjedis pune më të mirë dhe një kompensim më të drejtë për të gjithë ne.
Me respekt,
Sindikata e Re e KEK-ut”