Shoqata e Punëtorëve të Postës së Kosovës dhe Shoqata Sindikale “Postieri” kanë njoftuar se në emër të mbi një mijë punëtorëve të Postës sot do të fillojnë protestat dhe greven para zyrave të Komisionit të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës (AKK) dhe të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Protesta mbahet për të kërkuar anulimin e vendimit ose dorëheqjen e menjëhershme të kryetarit të Komisionit të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës (KAKK), Valon Prestreshi, i cili sipas tyre me ndihmën e 2 nga gjithsejtë 5 anëtarë të KAKK, ka nxjerrë një vendim të padrejtë dhe të paligjshëm, që dëmton financiarisht mbi 1000 punëtorë dhe mbi 1000 familje, për interesa të 3-4 kompanive private.
Ai ka kërkuar nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe komuna e Prishtinës, Gjilanit dhe Mitrovicës, që të mbyllin 43 zyra postare të Postës së Kosovës, të cilat ofrojnë shërbimin e pagesave në këto institucione.
\”Posta ka deponuar padi në Gjykatë kundër vendimit të KAKK-së së Valon Prestreshit dhe sipas ligjit, deri në verdiktin e Gjykatës, nuk mund të zbatohet ky vendim absurd as nga MPB, as nga Sekretari i Përgjithshëm i MPB-së Lulzim Ejupi, apo komunat me të cilat kemi marrëveshje bashkëpunimi. Zbatimi i marrëveshjes së paligjshme përbën vepër penale\”, thekson Etrit Hoti, Kryetar i Shoqatës së Punëtorëve të Postës së Kosovës.
\”Ne do të kërkojmë edhe nga Policia dhe Prokuroria, që të hetojë prapavijën e marrjes së një vendimi të tillë nga KAKK, vendim që dëmton rëndë interesat e ndërmarrjes publike, pronë e shtetit dhe popullit të Kosovës, për interesa të bizneseve private.\”
\”Nga e hëna kur do të fillojmë me grevë dhe protesta, neve nuk do të ndalemi deri në shkarkimin nga ana e Kuvendit të Kosovës të Valon Prestreshit dhe shërbëtorëve të tij në KAKK.\”
\”Nuk do të ndalemi, përderisa përfaqësuesit e popullit në Kuvendin e Kosovës, të deklarohen se a janë në shërbim të 3-4 individëve apo të ndërmarrjes publike, pronë e Republikës së Kosovës\”, thekson Hoti.
Po ashtu, protestuesit sot do të deponojnë në Kuvendin e Kosovës, peticionin e nënshkruar nga të gjithë punëtorët e Postës, me të cilin kërkojnë shkarkimin e anëtarëve aktuale të KAKK-së.