Punëtorët e KEK’ut kanë paralajmëruar protestë për të enjten. Kjo për shkak të mospërmbushjes së kërkesave për rritje të pagës dhe pagesën e orëve gjatë vikendeve e të shtesës së rrezikshmërisë. Koha raporton se KEK’u po i shqyrton kërkesat e punëtorëve.
Për ta shprehur pakënaqësinë për mospërmbushjen e kërkesave, ata do të protestojnë të enjten para zyrave të KEK-ut në Prishtinë.
Nexhat Llumnica, kryetar i Sindikatës së Re të KEK-ut, tha se vendimi për protestë u mor pasi takimet me menaxhmentin e ndërmarrjes nuk prodhuan zgjidhje për kërkesat punëtorëve.
“Ne kemi kërkuar që prej fillimit të vitit edhe ngritjen e pagave, pagesën e fundjavës dhe pagesën e rrezikshmërisë. Asnjë nga këto nuk është realizuar dhe dje e kemi pasur takimin e fundit me menaxhmentin, ku na u tha decidivisht se nuk ka asgjë për këto pika dhe ne e kemi paralajmëruar protestën”, ka thënë ai për Kohën
Llumnica ka thënë se shumë prej tyre janë detyruar ta lënë punën, si pasojë e kushteve jo të mira në korporatë.
“Ne kohëve të fundit kemi pranuar shumë punëtorë, mirëpo ende ka një mungesë të madhe. Nuk është e thënë veç që të punësohen e ata prapë ta lëshojnë punën. Kanë filluar të ikin edhe prej vendit të punës, pra ta lëshojnë punën e KEK si inxhinierë, si teknikë, si saldues, si mekanikë, si elektricistë. Të gjithë po gjejnë punë shumë më të mira sesa në KEK dhe ka rrezik si KEK-u edhe po t’i ketë miliardat nuk do të vyejë nëse nuk e ka fuqinë punëtore”, ka thënë ai.
Pas protestës së paralajmëruar nga sindikata, në KEK thanë se janë duke i shqyrtuar kërkesat e punëtorëve.
“Menaxhmenti i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK sh.a.) e konsideron sindikatën një partner kyç në aktivitetet e saj të përditshme. Në takimin e mbajtur dje me përfaqësuesit e sindikatave SR-KEK dhe SPEK, menaxhmenti ofroi sqarime mbi gjendjen aktuale të korporatës dhe shqyrtoi kërkesat e sindikatave, duke shprehur gatishmërinë për dialog dhe angazhime të përbashkëta. Kjo qasje tregon përkushtimin e menaxhmentit për bashkëpunim dhe rëndësinë e krijimit të një ambienti të shëndetshëm dhe produktiv të punës”, është thënë në përgjigjën e KEK-ut.