Site icon PrishtinaPress

Punësimet familjare në institucione shtetërore, ja emrat (II)

Punësimi i familjarëve nga pushtetarët nëpër institucione shtetërore ka ndodhur që nga koha kur janë krijuar institucionet e përkohshme dhe ka vazhduar edhe këtë mandat, pavarësisht që shefi i tanishëm i Qeverisë, Isa Mustafa, kishte premtuar se do ta çrrënjos familjarizimin.
Por me krijimin e kësaj Qeverie, PDK-LDK, janë kujdes me zell që t’i rehatojnë familjarët.
Është LDK-ja që prin, për shkak që pushtetin ekzekutiv nuk e kishte provuar bajagi një kohë të gjatë.

Deputeti i LDK-së, Sadri Ferati e kishte rehatuar vajzën në Infrakos në fillim të këtij viti. Madje vajza e Feratit është kontratë mbi vepër. Ish-ministri Ferati e kishte mohuar se ka ndikuar në punësimin e vajzës së saj. Ferati ka edhe gruan të punësuar në Spitali Regjional të Mitrovicës, ku pagë vjetore merr 5 mijë e 204 euiro.
Edhe ish deputeti i LDK-së, tash kryetari i Suharekës, Sali Asllanaj e ka punësuar vajzën në RTK. E bija e Allanajt, merr pagë vjetore 5 mijë e 136 euro nga buxheti i shtetit, raporton Indeksonline.
Ish-gazetarja e RTK-së, që tash është deputete e PDK-së, Blerta Deliu, është kujdesur që familjarët e saj të kenë të ardhura nga buxheti i shtetit.
Deliu ka të punësuar vëllaun në RTK. Taulant Deliu mban postin e producentit në RTK.
Drejtori i “Trepçës”, Ahmet Tmava, dallon pak nga zyrtarët e tjerë shtetëror që kujdesen për punësime.
Ai punon bashkë me gruan e tij, në institucionin që drejton “Trepçë”. Tmava i ka deklaruar pagë vjetore për bashkëshorten në “Trepçë” 7 mijë e 950 euro në vit.
Tmava, që është i afërt me PDK-në, e ka të punësuar edhe djalin në AKP, agjenci kjo që menaxhon “Trepçën”, ku është drejtor Tmava. Djali i tij në AKP merr rrogë vjetore 11 mijë e 160 euro, raporton Indeksonline.
Protagonisiti kryesor i përgjimeve, Adem Grabovci, e ka të punësuar gruan në “Ibër Lepenc”, që pagë vjetore merr 7 mijë e 920.
Kryetari i Komunës së Podujevës dhe nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu, djalin ka të punësuar në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale. Shkumbin Veliu është punësuar në këtë ministri pasi ka ardhur në pushtet partia e prindit të tij, pasi ka qenë i punësuar në Komunën e Prishtinës, atu ku ishte kryetar kryeministri aktual që vjen nga LDK-ja.
Po ashtu me marrjen e mandatit qeverisës nga LDK-ja, në bordin e Postës së Kosovës është punësuar edhe nusja e djalit të Agim Veliut, Metije Jashari.
Edhe bashkëpartikau i tij, Lutfi Haziri ka të punësuar gruan në “Asamblit Shota”, ku pagë mujore merr 370 euro, raporton Indeksonline.
Edhe deputetja tjetër e LDK-së, Lirie Kajtazi, e ka të punësuar burrin në komunën e bashkë partiakut, atë të Gjilanit. 5 mijë e 40 euro merr pagë vjetore bashkëshorti i Lirie Kajtazit.
Këshilltari i presidentit, Hashim Thaçi, Abelard Tahiri, e ka të punësuar gruan në Ministrinë e Bujqësisë, e cila merr një pagë prej 4320 në vit.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi ka të punësuar gruan në Universitetin e Prishtinës. Paga e saj vjetore është 8 mijë e 400 euro.
Edhe bashkë partiaku i tij, ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj e ka gruan në UP të punësuar.
Edhe Galuk Konjufca, deputeti i Vetëvendosjes e ka gruan të punësuar në UP. Paga e saj vjetore (honorar) është 2 mijë e 912 euro.
Ministri i Diasportës, Valon Murati e ka gruan të punësuar në Ministrinë e Financave, ku paga e saj vjetore është 13 mijë e 234.
Ish ministri i Punëve të Brendshme Bajram Rexhepi e ka gruan të punësuar në Postë Telekomin e Kosovës ku merr pagë vjetore 7 mijë euro.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit e ka gruan të punësuar në Ansamblin e baletit që pagë vjetore merr 5 mijë e 580 euro.
Ministri i Financave Avdullah Hoti e ka gruan në KGJk ku paga e saj vjetore është 5 mijë e 783 euro.
Edhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, e ka burrin të punësuar në PTK.

Exit mobile version