Site icon PrishtinaPress

Pulmologu Besim Morina: Ndodh që pacientët me COVID-19 i trajtojmë edhe korridoreve

Klinika e Pulmologjisë në QKUK është ndër klinikat më të ngarkuara me pacientë që trajtohen për coronavirus.

Në këtë klinikë për momentin janë duke u trajtuar rreth 100 pacientë ndërsa ka edhe mungesë stafi për shkak se një pjesë e personelit janë prekur nga COVID-19.

Gjashtë nga mjekët e këtij reparti përfshirë edhe drejtoreshën, 14 infermierë, një teknike e radiologjisë dhe dy punëtorë të sigurimit janë të infektuar me COVID-19, raporton RTV Dukagjini.

Pulmologu Besim Morina thotë se kjo klinikë ka pasur mungesë të pulmologëve edhe para fillimit të pandemisë ndërsa sipas tij me ardhjen e pacientëve me COVID-19 situata është rënduar edhe më shumë.

“Situata është e vështirë pasi që ne edhe para pandemisë kemi pasur mungesë të personelit mjekësorë. Disa nga specialistët tjerë janë para pensionimit dhe momentalisht specialistë të pomologjisë jemi vetëm shtatë pasi tre të tjerë nuk janë duke kujdestaruar për shkaqe shëndetësore ndërsa gjashtë specialistë tjerë kanë rezultuar pozitiv në COVID-19”, deklaroi për RTV Dukagjinin pulmologu Besim Morina.

Morina thotë se për shkak të fluksit të madh ndodh që pacientët të trajtohen edhe nëpër korridore në mënyrë që askush të mos mbetet pa shërbim.

“Një gjë e tillë ndodh. Ka ndodhur edhe para pandemisë që kur nuk ka vende të lira nuk i lëmë pacientët jashtë. Ne bëjmë improvizime derisa të lirohen vendet. Kjo ndodh për një kohë të shkurtër”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Nga ana tjetër pacienti Nusret Prebreza shprehet i kënaqur nga shërbimi që ofrohet në Klinikën e Pulmologjisë. Ai thotë se ka qenë i kujdesshëm por nuk e di nga e ka marrë coronavirusin.

“Asnjëherë pa maske nuk kam dalë por nuk e di ku e kam marrë virusin”, thotë Nusret Prebreza.

Klinikës së Pulmologjisë së fundmi i janë bashkuar edhe disa mjekë nga grupi i profesionistëve të rekrutuar nga Ministria e Shëndetësisë.

Exit mobile version