1.4 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Buy now

spot_img

“Puçi” i drejtorëve të bordit të AKP-së ndaj Ekrem Hajdarit, cila është e vërteta?

Në maj të 2016-ës, Ekrem Hajdari u emërua si drejtor i Agjencisë Kosovare të Privatizimit. Këtë të hënë, AKP-ja njoftoi se i njëjti u shkarkua nga pozita e tij. Arsyet e shkarkimit mbeten të paqarta, nga ana tjetër Hajdari e kundërshton vendim/shkarkimin.

Me mandat tre vjeçar, Ekrem Hajdari më 19 maj të 2016-ës u emërua në krye të Agjencionit Kosovar të Privatizimit (AKP). Një vit para përfundimit të mandatit, Hajdari u shkarkua me vendim të Bordit të Drejtorëve, shkruan lajmi.net.

Në komunikatën zyrtare dërguar mediave, nuk u përmendet ndonjë arsye për vendimin e marrë nga bordi i drejtorëve.

Heshtja e Bordit të Drejtorëve për arsyet e shkarkimit

Avni Ajdini, drejtor në Bordin e AKP-së, për lajmi.net refuzoi të japë arsye në lidhje me vendimin për shkarkimit të Drejtorit të AKP-së, Ekrem Hajdari. Për këtë cështje shtoi vetëm se vendimi është marrë nën shumicën absolute.

“Vendimi është marrë në shumicë absolute. Shtatë kanë qenë pro ndërkaq që një ka qenë kundër”, tha Ajdini për lajmi.net, ndërkohë që tha se nuk dëshiron të komentojë për arsyet e shkarkimit.

I vetmi që doli kundër këtij vendimi, ishte Kryetari i Bordit të AKP-së, Petrit Gashi. I njëjti dha dorëheqje pas shkarkimit të Hajdarit.

Ajdini nuk komenton as dorëheqjen e Gashit, teksa shton se secili ka të drejtë të marrë vendime personale.

Shkarkimin e Hajdarit mësohet se e inicio Skënder Komoni, drejtor i bordit në AKP.

Hajdari refuzon vendimin, paralajmëron ankesë

Lajmi.net ka kontaktuar edhe me vetë Ekrem Hajdarin. Ky i fundit nuk pajtohet me arsyetimin e dhënë se ka pasur performancë të dobët gjatë udhëheqjes së tij.

“Nuk pajtohem me vendimin e marrë. Unë kam mandat tre vjeçar dhe arsyet nuk qëndrojnë “, ka thënë Hajdari për lajmi.net.

Hajdari paralajmëroi se do të parashtrojë ankesë ndaj vendimit të marrë nga Bordi i AKP-së.

“Normalisht që do të parashtroj ankesë. Unë madje nuk e kam marrë ende as vendimin për shkarkim”, thekson ai, teksa shton se nuk e di se kush do të vijë në pozitën e tij.

Dorëheqja e Kryetarit të Bordit të AKP-së, Petrit Gashi

Nuk vonoi shumë nga shkarkimi i drejtorit menaxhues i AKP-së kur erdhi edhe dorëheqja e Kryetarit të Bordit të AKP-së, Petrit Gashi.

Në letrën e tij dërguar mediave, ndër të tjera thuhet se motivet e qarta të shkarkimit të Ekrem Hajdarit do të bëhen të ditura vetëm pas emërimit të pasuesit të tij.

Gashi mohon se AKP-ja në krye me Hajdarin ka pasur performancë të dobët, teksa thotë se rezultatet gjatë kësaj periudhe ishin më të mirat në historikun e Agjencisë.

“Motivet reale të shkarkimit të z. Hajdari besoj se do të bëhen të qarta për publikun me përzgjedhjen e pasardhësit të z. Hajdari. Mirëpo, jam i obliguar t’i sqaroj publikut të arriturat e Agjencisë gjatë kohës sa ky i fundit ka qenë Drejtor Menaxhues i Agjencisë. Raportet vjetore të Agjencisë dhe raportet e Auditorit të Përgjithshëm tregojnë që rezultatet e shënuara nga Agjencia në vitin 2017 janë më të mirat në historikun e Agjencisë”, thuhet ndër të tjera në letrën e Petrit Gashi.

Sipas tij, largimi i Drejtorit Menaxhues, për të si Kryesues i Bordit, nënkupton shkëputjen e lidhjes në mes të këtyre dy mekanizmave kryesor të Agjencisë.

Versioni përfundimtar rreth shkarkimit të Ekrem Hajdarit dhe pasuesi i tij.

Kush dhe kur vjen pasuesi i Ekrem Hajdarit

Zëdhënësi i AKP-së, Yll Kaloshi, thotë se arsyet e shkarkimit janë të ditura.

Ai për lajmi.net thotë se për zgjedhjen e drejtorit të ri të AKP-së vendos bordi dhe se nuk ka ndonjë afat ligjor.

“Nuk ka ndonjë vendim, kjo është punë e bordit, dhe nuk është diskutuar kjo punë. Arsyeja e shkarkimit ka qenë për shkak të performancës së dobët. Sipas ligjit, dy zëvendësdrejtorët  së bashku e plotësojnë pozitën e drejtorit”, thotë ai.

Teksa komenton letrën e dorëheqjes së Petrit Gashit, Kaloshi thotë se arsyet e tij nuk qëndrojnë.

Sipas tij, nuk qëndron fakti se me shkarkimin e drejtorit ka humbur komunikimi mes bordit dhe Agjencisë.

“ Edhe tek letra e kryesuesit, gabimisht e thotë se meqë shkon drejtori nuk ka mbetur si të komunikohet bordi me agjencinë. Nuk qëndron ashtu sepse janë dy zëvendësdrejtorë që zgjidhen po nga bordi dhe e plotësojnë atë detyrë”, ka përfunduar Kaloshi për lajmi.net.

Lajmi.net ka tentuar të kontaktojë edhe me vetë Petrit Gashin, mirëpo i njëjti nuk ka qenë i qasshëm.

Vlen të theksojmë se në AKP-ja ishte akuzuar për emërime politike në bordin e saj.

Sipas Ligjit të Ndërmarrjeve Publike, personat të cilët më herët kanë marrë pjesë në zgjedhje, nuk mund të zgjidhen në Borde të këtyre ndërmarrjeve.

Megjithatë, të njëjtit tani ushtrojnë detyrën e Drejtorit në Bordin e AKP-së. /Endrit Dragaj.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img