Aleksandar Arsenijoviq që tashmë është certifikuar si kandidat për kryetar të Mitrovicës Veriore, ka publikuar një video shokuese nga Leposaviqi.
Në videon që ka publikuar Arsenijoviq, shihet momenti kur një qytetar goditet nga një veturë që po lëvizte derisa shoferi madje edhe e incizon veprimin e tij. Ai ka thënë se kjo gjë ka ndodhur para stacionit të Policisë.
Nuk dihen arsyet e goditjes së tij, por kjo gjë ilustron situatën në të cilën ndodhen aktualisht bashkëqytetarët tanë serbë në mungesë të forcave të rendit.
Politikani Arsenijoviq ka thënë se është i tmerruar nga ky rast teksa shpreson që i dyshuari të përgjigjet për këtë vepër.
“Më tmerron skena e komunës së Leposaviqit ku një burrë (nëse mund të quhet kështu) shkel një njeri në rrugë në mungesë të policisë, duke plotësuar disa nga tekat e tij personale. Shpresoj që një ditë të përgjigjet për këtë krim!”, ka shkruar ai në mbishkrimin e videos./Prishtinapress/