Site icon PrishtinaPress

Publikohet agjenda e takimeve të Kurtit dhe Vuçiqit me liderët evropianë në Bruksel

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, sot në Bruksel do të takohen me udhëheqësit e vendeve kryesore të Bashkimit Evropian, në kuadër të përpjekjeve perëndimore për të ripërtërirë procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve, raporton Gazeta Sinjali.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni dhe shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, fillimisht do të takojnë Kurtin, e më pas Vuçiqin.

Sipas agjendës së publikuar nga faqja zyrtare e Bashkimit Evropian, takimet do të nisin në orën 13:30.

Nuk ka plan për takim të përbashkët me udhëheqësit e të dyja vendeve, por një gjë e tillë nuk është përjashtuar, varësisht nga rrjedha e takimeve të ndara.

Takimet e sotme ndodhin pak ditë pasi të dërguarit perëndimorë paraqiten në Prishtinë dhe Beograd një plan për zbatimin e marrëveshjes së arritur me herët gjatë këtij viti në Bruksel dhe në Ohër.

Zyrtarët evropianë thanë se pjesë e diskutimeve të Brukselit do të jetë edhe “një propozim bashkëkohor evropian për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, që është edhe pika më e vështirë e procesit të bisedimeve Kosovë – Serbi.

Kurti dhe Vuçiq u takuan për herë të fundit më 14 shtator, por pa ndonjë përparim.

Dhjetë ditë më vonë ndodhi sulmi në Banjskë, ku grupe të armatosura serbësh sulmuan policinë e Kosovës, duke vrarë një zyrtar policor.

Gjatë përleshjeve, që nxitën shqetësime për qëndrueshmërinë në rajon, u vranë edhe tre sulmues serbë.

Procesi i dialogut që synon normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë nisi në vitin 2011 me ndërmjetësimin e BE-së dhe mbështetjen e SHBA-së.

Palët arritën dhjetëra marrëveshje për këtë qëllim, por shumë prej tyre nuk u zbatuan kurrë.

Një nga to është edhe ajo për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Exit mobile version