Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, zëvendëskryeministrat dhe ministrat e qeverisë kosovare po darkojnë bashkë, në rezidencën e zëvendësit të parë të Haradinajt, Behgjet Pacolli në Hajvali të Prishtinës.
Në këtë darkë, pjesëmarrës është edhe Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, dhe Kryeparlamentari, Kadri Veseli.
Ky takim i qeveritarëve të vendit, po ndodh një ditë para se Kryesia e Kuvendit të Kosovës ta procedojë Marrëveshjen për demarkacionin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.
Shefi i Kabineti i Kryeministrit Haradinaj, Avni Arifi ka bërë të ditur për “Gazeta Blic” se takimi i sontëm në residencën e zëvendëskryeministrit Pacolli, ka qenë joformal dhe pa rend dite. Megjithatë ai nuk ka mohuar, se në këtë takim ka pasur dakordancë karshi çështjes së demarkacionit me Malin e Zi.
“Mbledhja ka qenë kolegiale, sigurisht që janë diskutuar çështje të ndryshme por kjo ishte darkë informale, pa krevata dhe pa protofol”, tha ai për “Gazeta Blic”.
Arifi tutje ka konfirmuar se kjo është mbledhja e dytë e kësaj natyre që po e zhvillojnë pa protokol.
“Është hera e dytë që e mbajmë një mbledhje të tillë pa protokol, pa kravata, kësaj here na ka ftuar Behgjet Pacolli”, tha ai, duke shtuar se ftesën për këtë mbledhje e kanë marrë rreth një javë më parë.
Në darkën në Hajvali nuk është i pranishëm zëvendëskryeministri Fatmir Limaj, nga Nisma.
Në takimin joformal nuk po marrin pjesë as ministrat e partisë së Limajt në Qeverinë e Kosovës.
Arsyeja e mungesës së Limajt dhe ministrave të Nismës në këtë mbledhje nuk është bërë e ditur.