Site icon PrishtinaPress

Publikimi i video-incizimit për ish-prokurorin Metush Biraj, reagon ministrja Haxhiu

Ministrja e Drejtësisë në Kosovë, Albulena Haxhiu, ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me akuzat e korrupsionit që rëndojnë mbi një ish-prokuror.

Përmes një deklarate në Facebook, ajo ka vënë në dukje një rast të fundit ku Metush Biraj, ish-prokurori në fjalë, dyshohet për marrje ryshfeti me qëllimin e dështimit të një aktakuze të rëndësishme për një sasi të madhe marihuan

Haxhiu ka theksuar se kjo nuk është hera e parë që dëgjohen lajme që sugjerojnë mundësinë e blerjes së drejtësisë në Kosovë.

Ajo ka përsëritur thirrjen për nevojën e një procesi të vettingut në sistemin e drejtësisë, një proces që, sipas saj, shkakton frikë tek shumë zyrtarë të këtij sistemi.

“Prandaj vazhdojmë të insistojmë në domosdoshmërinë e një procesi të vettingut, të cilit proces jo pak zyrtarë nga drejtësia iu kanë frikësuar, sikurse kanë bërë me secilën inciativë tonën me qëllim reformën e thellë në drejtësi”.

Ministrja po ashtu ka shfaqur zhgënjimin për mungesën e një reagimi nga Këshilli Prokurorial, i cili deri më tani nuk ka komentuar rreth skandalit në fjalë.

“Në vendin tonë nuk do të mund të ketë drejtësi të mirëfilltë pa u kthyer besimi i qyetarëve në institucionet e drejtësisë dhe ky besim nuk mund të kthehet pa e prerë qartë mendësinë e kaluar që ende nuk po shkon. Ndarja e qartë me këtë mendësi është procesi i vettingut që duhet ta nisim si shtet sa më parë sapo të jemi të zhbllokuar nga Gjykata Kushtetuese për t’ju drejtuar pastaj Kuvendit të Kosovës. Ashtu siç kemi thënë çdo vonesë në këtë drejtim i shërben vetëm qarkut të vjetër vicioz që nuk do të dali nga kjo valle e padrejtësisë”, shkroi Haxhiu.

Më 31 maj të këtij viti, prokurori i rastit, Metush Biraj, u tërhoq nga ndjekja penale me pretendimin se nuk kishte fakte të mjaftueshme.

Prokurori Biraj, ishte tërhequr nga aktakuza gjatë zhvillimit të seancës në fjalën përfundimtare dhe atë vetëm 3 ditë para se merrte vendim gjykatësja e rastit, Teuta Krusha, për dënimin apo lirimin e tyre.

Gjithashtu, tërheqja ishte bërë para se prokurori Metush Biraj të pensionohej për të dal më pas si avokat.

Ky reagim erdhi pas hulumtimit të BetimipërDrejtesi.

Exit mobile version