Me rastin e 9-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka thënë se Kosova në këta nëntë vjet ka shënuar progres të jashtëzakonshëm.
Ai në një intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, ka thënë se Kosova si shtet ka arritur t’i ruajë raportet speciale me ShBA-në dhe duke avancuar raportet me BE-në. Megjithatë, ka kritika për BE-në sa i përket liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
“Kosova mbetet vendi më i izoluar padrejtësisht nga Bashkimi Evropian sepse BE-së i mungon qasja strategjike për Kosovën e Ballkanin Perëndimor”, ka thënë presidenti Thaçi, duke paralajmëruar se këtë vit Kosova do të aplikojë për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe UNESCO.
Presidenti Thaçi i ka ftuar të gjitha palët, pozitë dhe opozitë, të ngrihen mbi interesat individuale e partiake dhe të jenë në shërbim të interesit të shtetit.
Ai ka bërë me dije se marrëveshja e Demarkacionit me Malin e Zi është e saktë, e drejtë, e qartë dhe e mbështetur nga faktori ndërkombëtar.
“Refuzimi i demarkacionit është i pajustifikueshëm, i paargumentuar dhe është një refuzim me karakter të qartë të interesit të ngushtë lokal dhe elektoral”, ka thënë Thaçi.
Presidenti ka theksuar se dialogu me Serbinë duhet të vazhdojë. “Ata që refuzojnë dialogun për fqinjësi të mirë dhe normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërshtetërore nuk kanë argumente dhe nuk kanë vizion të qartë evropian për Ballkanin Perëndimor”, është shprehur Thaçi.
Duke folur rreth idesë për zgjedhje të parakohshme, Thaçi ka thënë se në këtë drejtim janë dy mundësi: E para, nëse partnerët e koalicionit e humbin shumicën në Kuvend dhe, e dyta, është nëse ndodh marrëveshje në mes spektrit politik.
Sa i përket reformës zgjedhore, thotë se e ka përmbyllur atë dhe shumë shpejt pritet t’i dërgohet Kuvendit.
Thaçi thotë se presidenti i Kosovës tani e tutje duhet të zgjedhet drejtpërdrejt nga qytetarët, në mënyrë që mos të bëhet siç ka thënë ai – “pjesë e makinacioneve të ndryshime politike”.
Kurse sa i përket Gjykatës Speciale, Thaçi ka thënë se kjo gjykatë nuk do ta destabilizojë shtetin, por do t’i ndihmojë drejtësisë.
Në këtë intervistë presidenti Thaçi ka folur edhe për shqiptarët në Luginë të Preshevës, për shqiptarët në Maqedoni dhe për marrëdhëniet me Shqipërinë. Po ashtu, presidenti Thaçi e ka dhënë si ide emrin e stadiumit nacional të Kosovës.