Site icon PrishtinaPress

PSG e nxjerr në shitje menjëherë Mbappen, klubi dyshon se ai ka marrëveshje me Real Madridin

Kylian Mbappe vazhdon të jetë edhe këtë verë në qendër të vëmendjes.

Ylli francez u la jashtë ekipit këtë të premte. Ai nuk u ftua nga Luis Enrique për turneun para-sezonal në Japoni.

Vendimi për lënien e tij jashtë padyshim se është një zhvillim i ri që lidhet me të ardhmen e tij.

Sipas ekspertit të transferimeve, Fabrizio Romano, parisienët e konsiderojnë Mbappen në shitje që nga sot.

Paris Saint-Germaini thuhet se ndjen se Mbappe dëshiron të largohet falas në vitin e ardhshëm, edhe pse lojtari nuk ka komunikuar publikisht asgjë.

Ajo çfarë dihet deri më tani nga ana e tij është se ka vendosur për të mos e zgjatur kontratën, e cila i skadon në verën e vitit të ardhshëm. Mirëpo, besohet se ai dëshiron të qëndrojë edhe për një sezon në “Parc des Princes”. 

Megjithatë, te PSG-ja janë të bindur se 24-vjeçari ka rënë dakord tashmë për kushtet për t’iu bashkuar Real Madridit vitin tjetër, me marrëveshje të lirë. 

Krerët e klubit nga kryeqyteti francez donin një përgjigje për ultimatumin “marrëveshje e re ose largim tani” deri më 15 korrik, por nuk morën përgjigje. 

Kësisoj, kampionët në fuqi francezë dëshirojnë që ta shesin reprezentuesin e Francës këtë verë.

Nga mediat franceze thuhet se klubi ka informuar lojtarin se “të gjithë ata që nuk udhëtojnë në Japoni nuk janë pjesë e planeve të klubit”.

“L’Equipe”, bazuar në burimet e veta, raportoi se nga PSG-ja iu është thënë se mungesa e vendimmarrjes së Mbappes po i paralizon ata në tregun e transferimeve. 

Ky ishte një pozicion që Luis Campos ia bëri sërish të qartë ish-sulmuesit të Monacos të premten, në një bisedë vetëm mes tyre. 

Bordi i PSG-së dëshiron të fillojë atë që ata e quajnë “e ardhmja e PSG-së pa Mbappen” nga turneu i tyre në Japoni e tutje.

Deri më tani, presidenti i klubit nga Ligue 1, Nasser Al-Khelaifi, nuk ka pasur asnjë kontakt me homologun e tij të Real Madridit, Florentino Perez. 

Megjithatë, Real Madridi vlerësohet si destinacioni i radhës i kapitenit të “Gjelave”, teksa mbetet të shihet se si do të rrjedh kjo çështje.

Exit mobile version