4.2 C
Pristina
Saturday, December 28, 2024

Buy now

spot_img

Pse u lirua Naser Pajazitaj? Supremja e ka përpiluar vendimin, javën tjetër iu dërgohet palëve

Para tri javësh, Naser Pajazitaj është liruar nga akuza për vrasjen e Donjeta Pajazitajt. Por, arsyet mbi të cilat është marrë ky vendim, ende s’janë bërë publike. Nga Supremja kanë thënë se vendimi është përpliuar dhe se javën tjetër do t’u dërgohet palëve.

Ende nuk dihet se me çfarë arsyetimi, Kolegji Penal i Gjykatës Supreme e ka liruar Naser Pajazitajn nga akuza për vrasjen e Donjeta Pajazitat.

Një ditë pas marrjes së vendimit, nga Supremja vetëm e konfirmuan lirimin e Pajazitajt nga akuza, por që s’dhënë arsyetime, duke thënë se s’është përpiluar ende aktgjykimi.

Por tash, kur kanë kaluar mbi tri javë nga marrja e vendimit, Supremja e ka gati vendimin dhe arsyet do të bëhen publike javën tjetër.

Zëdhënësja e Supremes, Antigona Uka-Luftiu, i ka thënë Gazetës Express se vendimi për këtë rast është përpiluar, javën tjetër do t’u dërgohet palëve dhe do të njoftohen edhe mediat.

“Lidhur me pyetjet tuaja, ju njoftoj se vendimi për rastin në fjalë është përpiluar dhe aktualisht ndodhet në praktikë gjyqësore. Javën tjetër, i njëjti iu dërgohet palëve, pastaj i njoftojmë edhe mediat, duke krijuar qasje në aktgjykim”, ka thënë Uka-Lutfiu.

Vendimin e Supremes për lirimin e Pajazitajt nga akuza për vrasje, Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu e ka quajtur si të papranueshëm.

“Po i komentoj vendimet e gjykatës supreme sepse për mua është e papranueshme që një person i cili dënohet me burgim të përjetshëm, aq lehtësisht të lirohet nga akuza… Personi i dënuar nga shkalla e parë, pra me dënim të përjetshëm, Naser Pajazitaj dhe nga shkalla e dytë me 35 vite dënim, është liruar nga akuza nga Gjykata Supreme”, tha Ministrja.

Gjykimet e Pajazitajt për këtë rast

Naser Pajazitaj është gjykuar tri herë për këtë rast. Në mars të vitit 2018, Gjykata Themelore në Pejë e kishte liruar Pajazitajn nga akuzat për vrasjen e Donjeta Pajazitaj, në mungesë të provave. Pas ankesës së Prokurorisë, Gjykata e Apelit e kishte kthyer lëndën në rigjykim.

Pas kthimit në rigjykim, Gjykata Themelore në Pejë, në mars të vitit 2019, e kishte shpallur fajtor Pajazitajn dhe e kishte dënuar me burgim të përjetshëm. Ky dënim ishte vërtetuar pastaj edhe nga Gjykata e Apelit, në korrik të vitit 2019.

Në nëntor të vitit 2019, Gjykata Supreme i kishte prishur të dy aktgjykimet, atë e Gjykatës Themelore në Pejë dhe të Gjykatës së Apelit, dhe lëndën e kishte kthyer në rigjykim.

Pas kthimit të rastit në rigjykim, Gjykata Themelore në Pejë ishte përjashtuar nga ky rast. Lënda ishte deleguar në Gjykatën Themelore në Ferizaj, me arsyetimin për të mënjanuar dyshimet ndaj sistemit të drejtësisë. Vendimi ishte marrë nga Gjykata e Apelit.

Më 27 maj të vitit 2021, Gjykata Themelore e Ferizajt e kishte shpallur fajtor Pajazitajn dhe e kishte dënuar me burgim të përjetshëm. Apeli e kishte kthyer sërish rastin në rigjykim.

Pas shqyrtimit të ankesave të mbrojtjes, Apeli kishte marrë vendim, me të cilin ia kishte ulur dënimin nga burgimi i përjetshëm, në 35 vjet burgim.

Më 6 prill të këtij viti, Kolegji Penal i Gjykatës Supreme e ka liruar Pajazitajn nga akuza për vrasje.

Çfarë thuhej në aktakuzë?

Sipas aktakuzës së ngritur më 8 qershor 2017 nga prokurorja Valbona Disha– Haxhosaj, Naser Pajazitaj akuzohej se më 9 nëntor 2015, në bjeshkët e Strellcit, Komuna Deçan, e pikërisht në vendin e quajtur te “Kroni i Lajthisë”, i pandehuri edhe pse më parë ka qenë i dënuar për vrasje, me dashje dhe me armë dhe atë revole të tipit të panjohur në mënyrë mizore e ka privuar nga jeta viktimën Donjeta Pajazitaj, nga po i njëjti fshat.

Një gjë të tillë, sipas aktakuzës, Pajazitaj e kishte bërë në atë mënyrë që derisa viktima ditën kritike ka qenë duke shkuar në punë në këmbë së bashku me axhën e saj dhe kur kanë arritur tek bunari i fshatit janë ndarë, ashtu që viktima ka vazhduar rrrugën në drejtim të Strellcit të Epërm dhe kur afrohet përafërsisht 150 metra afër shtëpisë së Nedi Jusaj, aty pari kalon i pandehuri Naser Pajazitaj me veturën e tij të tipit xhip sheroke me ngjyrë të kaltër i cili ndalet e merr viktimën me veturë, e më pas vazhdon në drejtim të bjeshkëve të Strellcit dhe kur arrin tek “Kroni i Lajthisë” fillimisht e privon me armë duke shtënë dy herë në kokë, e më pas për të humbur gjurmë të njëjtën e mbulon me disa drunj dhe largohet nga vendi i ngjarjes, kurse viktima më 27 dhjetor 2015 është gjetur pa shenja jete në vendin e ngjarjes nga disa kalimtarë të rastit.

Sipas aktakuzës, Pajazitaj akuzohej se më parë e deri më 9 nëntor 2015, në fshatin Strellc, Komuna e Deçanit, pa autorizim ka poseduar armën dhe atë një revole të tipit të panjohur dhe një pushkë gjuetie me numër serik 0193117 si dhe 12 fishekë të kësaj pushke, në atë mënyrë që më revole ditën kritike ka kryer veprën penale të cekur si më lartë.

Gjithashtu, sipas aktakuzës më parë dhe deri më 23 maj 2017, në fshatin Strellc i Ulët, Komuna e Deçanit, Pajazitaj pa autorizim ka poseduar armën dhe atë një armë AK-47 dhe 2 karikatorë të zbrazët, ashtu që policia gjatë bastisjes dhe kontrollit në shtëpinë e të pandehurit në dhomën e fjetjes ka gjetur dhe sekuestruar armën e cekur si më lartë.

Me këto veprime, prokuroria e ngarkonte të akuzuarin se ka kryer veprën penale të “Vrasjes së rëndë” nga neni 179 i KPRK–së dhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374 i KPRK-së.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img