Site icon PrishtinaPress

“Pse nuk fillon menjëherë faturimi me matje?”, zëdhënësja e Termokosit u përgjigjet pyetjeve më të shpeshta të konsumatorëve

Zëdhënësja e “Termokosit”, Afërdita Uka Fejzullahu ka bërë të ditur se edhe këtë sezon ngrohës do të vazhdojnë me faturimin sipas sipërfaqes ngrohëse.

Uka-Fejzullahu në një postim në Facebook u është përgjigjur pyetjeve më të shpeshta të konsumatorëve.

Pse nuk fillon menjëherë faturimi me matje?

– NP “Termokos” edhe  këtë sezon ngrohës do të vazhdojë me faturimin sipas sipërfaqes ngrohëse. Ndryshimi në faturim sipas konsumit është një investim madhor, që nënkupton instalimin e mbi 250,000 pajisjeve individuale në 75,000 radiatorë, digjitalizimin total të sistemit dhe trajnimin e stafit. Ky proces në shtetet si Kroacia apo Bullgaria ka zgjatur mbi 5 vite, por në Kosovë falë donacionit të Qeverisë Amerikane, pajisjet janë instaluar tek rreth 80% e konsumatorëve për një vit. Tani, Zyra e Rregullatorit për Energjinë (ZRRE) dhe ekspertët ndërkombëtarë kanë këshilluar, që sistemi i ri të testohet një sezon ashtu që të definohet tarifa më e përshtatshme që stimulon kursimin në mënyrë që edhe fatura të jetë më e ulët për konsumatorët.

Kemi probleme teknike pas instalimit. Kujt t’i drejtohemi?

Kontraktorët e këtij projekti, me mbikëqyrjen e mëhershme të Fondacionit MFK dhe tani të Ngrohtores Termokos, kanë instaluar pajisje në rreth 15,000 banesa, në kushte të ndryshme të vjetërsisë, shtrirjes së radiatorëve dhe sfidave të tjera që përcjellin një ndërmarrje të tillë masive. Prandaj, në rreth 3% të numrit total të instalimeve, ka pasur vërejtje të ndryshme si pikje, ndalje, etj, të cilat po adresohen çdo ditë.

Një vërejtje që vjen nga qytetarët, që temperatura nuk është më “valë” mbi 30 gradë nuk do të “përmirësohet” ngase sistemi është i dizajnuar që ta kufizojë ngrohjen në standardin e rregulluar ndërkombëtarisht prej maksimum 26 gradë. Ndërkaq, rekomandimi nga Organizata Botërore e Shëndetësisë është që temperatura e dhomës së ndejës mos të kalojë mbi 21-22 gradë. Këtë rekomandim e bëjmë edhe ne, ashtu që të stimulojmë edhe kursimin e ngrohjes dhe fatura më të ulëta për klientët tonë.

Për të gjitha ankesat në lidhje me procesin e instalimit, kualitetit të produkteve dhe punës së ekipit të “Prishtina HeatSave” ju lutem shkruani në adresën: heatsave@termokos.org

Sa do të paguajmë kur fillon faturimi me matje?

ZRRE është institucioni i vetëm në Kosovë që është i autorizuar të vendosë tarifat për energjinë ngrohëse. Tarifat e reja do të testohen këtë sezon ngrohjeje në kushte të ndryshme klimatike, gjatë motit të ftohtë si dhe atij më të ngrohtë, ashtu që të krijohet një balancë midis qëllimit tonë: të ndryshojmë shprehitë e qytetarëve për t’u fokusuar tek kursimi dhe faturat më të vogla dhe nevojës për të ardhura stabile për “Termokos” që mundësojnë zgjerimin e mëtutjeshëm të rrjetit. Fushata informuese do të lansohet me kohë me detaje për çmimin final dhe tarifat, që do të aplikohen nga ZRRE.

Exit mobile version