Pse ka thirrur konferencë për Salih Mustafën Tribunali Special

80
Advertisement

Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës me seli në Hagë ka njoftuar se të hënën do të mbajë një konferencë statutore për rastin ndaj Salih Mustafës.

Advertisement

Në Rregullorën e Procedurës dhe Provave të Dhomave të Specializuara të Kosovës, rregulla 96 thuhet se “Gjykatësi i procedurës paraprake thirr një konferencë mbi ecurinë e çështjes sa më shpejt që të jetë e mundshme, pas paraqitjes së parë të të akuzuarit”.

Sipas të njëjtit rregull, nëse është e nevojshme, konferenca statusore mund të mbahet për një sërë çështjesh.

“Organizimin e shkëmbimeve midis palëve dhe, kur është e zbatueshme, të Mbrojtësit të Viktimave për të garantuar përgatitje të shpejta për gjykimin; ndërmarrjen e hapave që mundësojnë çdo përgatitje të nevojshme prej palëve në mënyrë të zellshme dhe në kohë dhe rishikimin e ecurisë së çështjes dhe që palëve, e kur është e zbatueshme Mbrojtësit të Viktimave, t’u jepet mundësia e ngritjes së problemeve në lidhje me çështjen”, thuhet në rregulloren përkatëse.

Mustafa u arrestua më 24 shtator në shtëpinë e tij që gjendet në periferi të Prishtinës, pasi i ishte konfirmuar aktakuza për dyshimet për kryerjen e krimeve të luftës, përfshirë këtu veprat penale si: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.

Arrestimi i Mustafës ishte i pari që nga themelimi i Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar – që njihen edhe si Gjykata Speciale – në vitin 2015.

Ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, gjatë paraqitjes së parë para Dhomave të Specializuara në Hagë më 28 shtator, kishte zgjedhur që të mos deklarohet rreth akuzave për krime lufte që rëndojnë ndaj tij.

Sipas rregullave të Dhomave të Specializuara, Mustafa ka të drejtë që në një periudhë brenda 30 ditësh të deklarohet i pafajshëm apo i fajshëm për akuzat ndaj tij.

Aktakuza e konfirmuar e ngarkon Mustafën për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme. Krimet për të cilat akuzohet Mustafa, sipas aktakuzës, dyshohet se janë kryer gjatë muajit prill të vitit 1999 në një qendër ndalimi në fshatin Zllash që ndodhet në rrethinën e Komunës së Prishtinës. Gjatë seancës publike është thënë se “ekziston dyshimi i bazuar mirë se zoti Mustafa është përgjegjës për kryerjen e këtyre krimeve”.

Prokuroria e Specializuar në Hagë heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000. Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.

Zyra e Prokurorit të Specializuar i kishte paraqitur aktakuzat e para në muajin shkurt të këtij viti dhe pastaj edhe një në muajin prill.

PostAdssFotoja e reklamës