7.7 C
Pristina
Monday, March 31, 2025

Buy now

spot_img

Pse ka rëndësi njohja nga Kenia – a mund të nxisë një trend të njohjeve të Kosovës?

Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, shumë shtete e kanë njohur shtetësinë e saj. Por, shumë të tjera, si në kontinentin afrikan, ende refuzojnë ta bëjnë këtë, për shkak të shqetësimeve për lëvizjet separatiste brenda shteteve të tyre.

Qysh në takimin e parë të mbajtur nga Unioni Afrikan (UA) këtë muaj, Maroku – që udhëheq presidencën e këtij institucioni për muajin mars – bëri thirrje për mbrojtjen e “integritetit territorial”, si mënyrë për të ruajtur stabilitetin në kontinent.

Njohja nga Kenia mund të sjellë një ndryshim të kësaj politike, duke nxitur që edhe shtete të tjera afrikane ta marrin të njëjtin vendim.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se njohja nga Kenia mund të nxisë një trend të njohjeve të Kosovës.

Ai tha se, personalisht, do të bisedojë me udhëheqës të Afrikës Lindore për të parandaluar “përhapjen e trendit [të njohjes së Kosovës]”.

Vuçiq, gjithashtu, paralajmëroi se në dy javët e ardhshme do të ketë tërheqje të njohjeve të pavarësisë së Kosovës nga dy vende afrikane, por nuk i specifikoi.

Edhe në të kaluarën, Serbia ka njoftuar për tërheqje të njohjeve nga vende si: Surinami, Burundi, Liberia, Ishujt Solomon, Madagaskari, Gana e të tjera.

Shumica prej vendeve për të cilat Serbia pretendon se kanë tërhequr njohjen, janë nga Afrika.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) e Kosovës e ka akuzuar Serbinë për presion ndaj shteteve për mosnjohjen apo tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës.

Sipas saj, Serbia po shpërfill zotimet e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit, që palët arritën në Ohër më 2023, përmes “refuzimit të njohjes së Kosovës dhe duke shtrembëruar parimet juridike ndërkombëtare”.

Pse ka nxitur reagime njohja nga Kenia?

Përveç shpresës nga Kosova dhe frikës nga Serbia se njohja e Kenias mund të nisë një trend të ri të njohjeve, njohja e Kenias në veçanti ka rëndësi.

Prej shteteve afrikane që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës deri më tani, Kenia është shteti i dytë me bruto prodhimin e brendshëm më të madh, pas Egjiptit.

Pas zyrtarizimit të njohjes nga Kenia, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se gjatë takimit me presidentin e Kenias, William Ruto, diskutuan edhe për “mundësitë për thellimin e bashkëpunimit në tregti, arsim, turizëm dhe fusha të tjera me interes të përbashkët”.

“Të dyja vendet tona janë të përkushtuara për hapjen e misioneve diplomatike si një hap konkret drejt një partneriteti të fortë dhe të qëndrueshëm”, shkroi Osmani në X.

Deri më tani, roli i Kenias në Ballkan ka qenë i kufizuar në misionet paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara.

Por, në Afrikë, e veçanërisht në Afrikën Lindore, ky shtet gëzon një rol të rëndësishëm si fuqi rajonale, përmes pjesëmarrjes në projekte të ndryshme, si autostrada elektrike me Etiopinë dhe Rrjeti i Energjisë i Afrikës Lindore.

Kenia, gjithashtu, është anëtare themeluese e Komunitetit të Afrikës Lindore (EAC), kryesimin e së cilës tani e gëzon presidenti Ruto.

Ajo ka luajtur disa herë rol kyç edhe në ndërmjetësimin e konflikteve brenda rajonit.

Për shembull, më 28 mars, Kenia dërgoi ish-kryeministrin Raila Odinga në Sudanin Jugor, me synimin për të parandaluar rikthimin e luftës civile.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img