Site icon PrishtinaPress

Pse Jeta Xharra dhe Haki Abazi i prishën raportet me Shpend Ahmetin

Konsideroheshin miq të ngushtë me njëri-tjetrin. Haki Abazi dhe Jeta Xharra e mbështetën fuqishëm Shpend Ahmetin për të fituar në Prishtinë. Por javët e fundit, këto raporte ndryshuan. Por, cila është arsyeja e vërtetë? Express sjell detaje.

Dy vjet më parë, Kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti dhe Haki Abazi i Rockfeller Brothers kishin nënshkruar një memorandum mirëkuptimi me të cilën kishin rënë dakord që të ndërtonin “Shtëpinë e shoqërisë civile”, e cila mendohej që të ndërtohej në pronë të Komunës së Prishtinës.

Ahmeti ishte përballur me shumë reagime nga organizata të shoqërisë civile të cilat e kishin akuzuar se  ka bërë gabim strategjik pasi vendimi i tij për këtë çështje ishte bërë në bashkëpunim me vetëm disa OJQ që nuk e prezantojnë shoqërinë civile.

I përballur me reagimin negativ të organizitave të shoqërisë civilie, Ahmeti ka hequr dorë nga memorandumi dhe premtimi që i kishte dhënë Haki Abazit. Shtëpia e shoqërisë Civile nuk është ndërtuar kurrë.

Abazi nëpërmjet fondeve të Rockeller është njëri nga donatorët e emisionit “Jeta në Kosovë” – emision që e kishte mbështetur fuqishëm Ahmetin gjatë zgjedhjeve në Prishtinë.

E tash që nuk është përmbushur premtimi gjithçka është përmbysur në këto raporte.

Pasi është kapur në befasi në jahtin e Devollëve, është pikërisht Haki Abazi njeriu i parë që i ka kërkuar dorëheqjen nga posti i Kryetarit të Prishtinës Shpend Ahmetit.

Ai madje një ditë pas publikimit të fotografisë kishte bërë një postim të ashpër kundër Ahmetit.

“Nuk falet! Dua ta kujtoj sot Agim Hajrizin- heroin e Kosoves qe nuk e ka dhene jeten se bashku me djalin edhe nenen qe sot të tjeret me u sorrollate ne Jahta të Budves. Jep Dorëheqje! Dua të kujtoj gjithashtu Bajram e Gursel Sylejmanin- dy artiste , heronje, qe nuk e kane dhene jeten qe sot të tjeret me u sorrolate haremave të Stambollit e villave të Alpeve të Frances. Jepni dorëheqje!. Kosova nuk eshte e partive politike as prone private e askujt, as prone e Stambollit e as e Frances- eshte e qytetareve dhe atyre qe kane dhene gjitheçka per të”, kishte shkruar Abazi.

Pak më vonë, ai kishte bërë edhe një postim tjetër duke përsëritur kërkesën për dorëheqje.

Raportet me Abazin janë reflektuar edhe gjatë intervistës së mbrëmshme në emisionin Jeta në Kosovë, ku gazetarja e ka ballafaquar Ahmetin me aferën e jahtit dhe lidhjet me Devollët.

Atij madje iu bënë pyetje të pakëndshme gjatë të cilave u pa që Kryetari Ahmeti ka shkelur shumë nga premtimet që u ka dhënë qytetarëve.

Por, Jeta Xharra dhe Haki Abazi realisht atë e ballafaquan mbrëmë edheme  mospërmbushjen e premtimit që ua kishte bërë atyre.

Ndryshe, javë më parë është spekuluar edhe për mundësinë që Shpend Ahmeti ta braktis Vetëvendosjen, dhe me ndihmën e Abazit ta formojnë një subjekt të ri politik.

Por duket se raportet e tyre, me intervistën e mbrëmshme, kanë degraduar plotësisht.

Exit mobile version