Site icon PrishtinaPress

Pse është e rëndësishme të pranohet Kosova në Këshillin e Evropës?

Këshilli i Evropës është organizata më e vjetër politike në Evropë. E themeluar më 5 maj të vitit 1949, është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit, me seli në Strasburg të Francës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Republika e Kosovës e ka vendin në Këshillin e Evropës pasi është ndërtuar në vlerat evropiane dhe në respektim të pakicave.

Në takimin e parë të Grupit Koordinues për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës, Kurti u shpreh anëtarësimin mundëson qasjen në gjykatën ndërkombëtare për të drejtat njeriut dhe kjo forcon edhe më shumë mbrojtjen e qytetarëve tanë pa dallim.

Madje shprehte i bindur se Kosova i ka plotësuar edhe kërkesat ligjore për t’u bërë anëtare e Këshillit të Evropës.

“Si organizata më e vjetër Këshilli i Evropës sikurse shteti ynë mishërojnë vlerat në të drejtat e njeriut. Republika e Kosovës është ndërtuar në vlerat e Këshillit të Evropës si dhe të drejtat e komuniteteve pakicë natyrshëm e ka vendin në këtë organizatë”.

“Kjo mundëson qasjen në gjykatën kjo forcon edhe më shumë mbrojtjen e qytetarëve tanë pa dallim. Republika e Kosovës ka plotësuar edhe kërkesat ligjore për t’u bërë anëtare e Këshillit të Evropës”, tha Kurti.

Zëvendëskryeministrja, Donika Gërvalla, tha se kjo çështje është marrë në mënyrë intensive e me seriozitet e profesionalizëm.

Ai ka kërkuar që të gjitha institucionet të angazhohen në mënyrë që anëtarësimi të ndodh sa më parë.

Falë angazhimit të zëvendësministrit Kreshnik Ahmeti jam shumë e bindur se proceset do të kishin zgjatur më shumë. Është marrë në mënyrë intenzive me anëtarësim në Këshill të Evropës duke dëshmuar një seriozitet dhe profesionalizëm të jashtëzakonshëm”.

Tani që ka kaluar faza e parë, gjithçka do të varët nga bashkërendimi i këtij grupi, prandaj uroj që në institucionet që ju punoni të luftoni në emër të Kosovës që proceset që varën nga institucionet tuaja të ecin sa më shpejtë sepse nga bashkërendimi juaj do të varet edhe ritmi me të cilin ne do të anëtarësohemi në Këshillin e Evropës sa më shpejt”, tha Gërvalla.

Çka është Këshilli i Evropës?

Këshilli i Evropës është organizata më e vjetër politike në Evropë. E themeluar më 5 maj të vitit 1949, Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit, me seli në Strasburg të Francës.

Qëllimi i themelimit të kësaj organizate ishte dhënia fund e armiqësive në mes të shteteve të Evropës, pas dy luftërave të tmerrshme botërore në shekullin XX.

Deri më tani KE-ja përfshin 46 shtete anëtare, 28 prej të cilave janë anëtare të Bashkimit Evropian. Organizata mbron lirinë e shprehjes dhe të medias, lirinë e organizimit, barazinë dhe mbrojtjen e pakicave. Ka ndërmarrë fushata për çështje të tilla si për mbrojtjen e fëmijëve, gjuhën e urrejtjes online dhe të drejtat e romëve, të cilët përbëjnë pakicën më të madhe në Evropë. Këshilli i ndihmon shtetet anëtare të luftojnë korrupsionin dhe terrorizmin, dhe të ndërmarrin reformat e nevojshme në fushën e rendit dhe ligjit. Nën ombrellën e saj qëndron Komisioni i Venecias, një grup i ekspertëve kushtetues që ofron këshilla rreth kësaj fushe për shtetet e gjithë botës.

Këshilli i Evropës promovon të drejtat e njeriut nëpërmjet konventave ndërkombëtare, të tilla si Konventa për Parandalimin dhe Luftën kundër Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje dhe Konventa për Krimin Kibernetik. Ai monitoron progresin e shteteve anëtare në këto fusha dhe bën rekomandime nëpërmjet organeve të pavarura të ekspertëve për monitorimin. Shtetet anëtare të Këshillit të Evropës nuk e zbatojmë me dënimin me vdekje.

Anëtarë të kësaj organizate janë Shqipëria, Andorra, Armenia, Austria, Azerbajxhani, Belgjika, Bosnje-Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Qiproja, Republika Çeke, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Gjeorgjia, Gjermania, Greqia, Hungaria, Islanda, Irlanda, Italia, Letonia, Lihtenshtajni, Lituania, Luksemburgu, Malta, Monako, Mali i Zi, Holanda, Maqedonia e Veriut, Norvegjia, Polonia, Portugalia, Moldavia, Rumania, San Marino, Serbia, Sllovakia, Sllovenia, Spanja, Suedia, Zvicra, Turqia, Ukraina, Mbretëria e Bashkuar.

Ndërsa, anëtare vëzhguese janë: Kanadaja, Izraeli, Japonia, Selia e Shenjtë, Meksika dhe Shtetet e Bashkuara.

Përfitimet e Kosovës nga anëtarësimi në KE

Anëtarësimi në këtë organizatë do t’i sillte Kosovës përfitime në disa fusha, duke përfshirë aspektin politik, juridik dhe ekonomik.

Fillimisht, bërja pjesë e këshillit do të ndikonte në konsolidimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.

Më pas, anëtarësimi rrit mundësinë që Kosova të mbrojë qytetarët e saj të cilët kanë probleme të natyrave të ndryshme në vendet jashtë Kosovës e që janë anëtare të KE-së. Gjithashtu, shtetasit e Kosovës do të mund t’i drejtohen Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut nëse konsiderojnë se i janë shkelur të drejtat dhe liritë e tyre nga ndonjë institucion shtetëror i Kosovës, apo cilido shtet anëtar i KE-së.

Po ashtu, anëtarësimi do t’i mundësonte Kosovës të ketë qasje në mekanizma të shumtë të monitorimit dhe vlerësimit, të tilla si GRECO, MONEYVAL, ECSR, CEPEJ, CPT, GRETA si dhe mbrojtjen e të drejtave të pakicave kombëtare.

Exit mobile version