Qeveria e Kosovës e ka zbutur masën që kishte vendosur nëpër pikat kufitare për kamionët që vijnë në Kosovë nga territori i Serbisë, si reagim ndaj kidnapimit të tre policëve. Tash, ndalesa do të ketë vetëm për maunat me ngarkesë nga Serbia. Maunet me targa serbe me ngarkesë nga ndonjë vend tjetër mund të hyjnë. Ndryshimi i këtij vendimi vjen disa ditë pasi Emisari i ShBA’së, Gabriel Escobar e kundërshtoi dhe e quajti “eskalim të panevojshëm”. Kurti ndërkohë disa herë ka thënë se kjo është vetëm masë sigurie e jo ekonomiko-tregtare.
Disa ditë pasi Emisari i ShBA’së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, e kundërshtoi vendimin për të bllokuar hyrjen e të gjithë kamionëve me tabela të Serbisë, si dhe të gjithë kamionëve të cilët bartin mallra të këtij shteti, Qeveria e ka zbutur këtë masë. Këtë masë, ekzekutivi e mori pas rrëmbimit të tre policëve nga forcat serbe.
Gazeta Express ka marr vesh nga burime se me ndryshimin e këtij vendimi, do të lejohet hyrja e mjeteve transportuese edhe me targa të Serbisë, me kushtin që nuk bartin ngarkesa me origjinë nga Serbia për shkaqe sigurie.
Për ndryshimin e këtij vendimi ende nuk ka ndonjë deklaratë zyrtare nga insitucionet. Dogana e Kosovës nuk është përgjigjur kur është pyetur nëse po lejohet hyrja e këtyre mjeteve.
Në një konferencë me gazetarë përmes telefonit, Escobar tha se Kosova duhet ta heq masën e ndalimit për mallrat serbe.
Ai citoi qëndrimin e BE-së, ku tha se është jo-evropiane që të ndalohet lëvizja e lirë e mallrave dhe njerëzve dhe për më tepër s’ka as bazë ligjore.
Emisari amerikan kishte thënë se përkrahin pozicionin e BE-së dhe konsiderojnë se një veprim i tillë i Kosovës është një eskalim i panevojshëm i një situatë tashmë të tensionuar.
“Ne besojmë se duhet ta heqin ndalesën për mallrat serbe. BE beson që është jo-evropiane për të ndaluar lëvizjen e lirë të mallrave dhe njerëzve, por edhe s’ka bazë ligjore. Ne si SHBA mbështesim një pozicion të tillë dhe konsiderojmë si një eskalim të panevojshëm të një situatë që është e tensionuar”, deklaroi Escobar.
Kryeministri Albin Kurti kishte thënë se masat që kanë vendosur nëpër pikëkalimet kufitare, siç është edhe kjo për bllokimin e mallrave serbe, nuk janë ekonomiko-tregtare, duke thënë se janë vendosur për çështje të sigurisë.
“Masat tona nëpër vendkalimet kufitare me Serbinë, nuk janë masa ekonomiko-tregtare, por janë masa të sigurisë. Gjendja nuk është aspak e zakonshme dhe për neve është e qartë se agresioni po vjen nga Serbia. Nganjëherë në rrugë ilegale, e është e mundshme edhe në vendkalime kufitare, prandaj si masa të sigurisë ne kemi marrë vendimin për qarkullim të kufizuar dhe kontrolla të shtuara deri në një vendim tjetër”, tha Kurti.
Premtimi i Kurtit për reciprocitet ndaj mallrave serbe që nuk u realizua kurrë
Më 31 shkurt të vitit 2020, Kurti kishte vendosur masa reciprociteti ndaj mallrave serbe. Ishte vendosur që emërtimet e certifikatave fitosanitare dhe veterinare, si dhe dokumente të tjera përcjellëse, të përdoren në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi të Kosovës.
Ky vendim ishte kundërshtuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian.
Për këtë vendim, Qeveria Kurti 1 kishte rënë pas 51 ditësh në pushtet. LDK’ja e kishte rrëzuar me mocion të mosbesimit.
Qeveria e re ishte krijuar më 3 qershor të vitit 2020, me kryeministër Avdullah Hotin, i cili e kishte shfuqizuar këtë vendim.
Kurti erdhi sërish në pushtet më 22 mars të vitit 2021. Ai kishte premtuar se vendosja e reciprocitetit me Serbinë, do të jetë ndër gjërat e para që do ta bëjë qeveria e tij.
Këtë premtim, Kurti e kishte përsëritur edhe në gusht të vitit 2021.
“Do ta vendosim reciprocitetin, nuk heqim dorë prej tij. Këtë do ta bëjmë kur atëherë jemi të përgatitur”, ishte shprehur gjatë një seancë të Kuvendit.
Ndonëse kanë kaluar më shumë se 2 vjet prej atëherë, Kurti s’ka vendosur ende reciprocitet ndaj mallrave serbe.
Kryeministri në vitin 2021 në një intervistë për RTV Dukagjini, kishte deklaruar se vendosja e masës së reciprocitetit është çështje ditësh e javësh dhe kurrsesi muajsh.
“Është çështje ditësh, javësh dhe kurrsesi muajsh. Nuk e di tash se cila do të jetë sekuenca, por është ndër gjërat e para që do të bëjmë”, kishte thënë Kurti.