1.1 C
Pristina
Friday, November 15, 2024

Buy now

spot_img

Pse dhe nga kush sulmohet aq paturpësisht Rexhep Qosja

Shkruar nga Behxhet Sh. Shala – Bajgora

Ndotja morale, për përfitime materiale: Në çdo vend apo shtet normal pas ndryshimeve rrënjësore të sistemit shoqëroro – politik,  asgjë nuk fillon pa u sqaruar e kaluara e atyre që do të jenë bartës të posteve shtetërore në mënyrë që të mos ndodhë që ata që ishin përgjegjës për dhunë, tash të veshur me uniformë demokratike, të shpëtojnë nga mëkatet e së kaluarës, të rehabilitohen pameritueshëm dhe përsëri të vendosin për fatin e të tjerëve, tash në rrethana tjera!

Sllovenët e kaluan procesin e lustrimit të figurave publike sikur edhe kroatët. Edhe në Maqedoni iu mundësua atyre që kishin dyshime të kenë qasje në dosjet e tyre e që pastaj u reflektua me bërjen publike të disa  emrave që kishin qenë bashkëpunëtorë të UDB-së apo KOS-it jugosllav e që nënkuptonte tërheqjen e tyre nga postet që mbanin.

Edhe kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë e pësoi për këtë fakt. Serbia e bëri lustrimin  selektiv ; informatorët e brendshëm i largoi me përjashtim të atyre që i duheshin kurse informatorët e jashtëm, sidomos në Kosovë, i mbrojti dhe po i mbron ende sepse i duhen ndoshta më shumë se më parë.

Kosova nuk ka dosje të trashiguara nga e kaluara me të cilat do ta paralizonte rrjetin e informatorëve të huaj sikur edhe të atyre që bartnin pozita të larta e që punuan në vazhdimësi kundër popullit gjuhën e të cilit e flisnin dhe madje, për fat të keq e kishin edhe gjuhë amtare!

Dosjet që kanë të bëjnë me Kosovën janë në Beograd, në arkivat e sigurimit shtetëror dhe sigurimit ushtarak por duhet të jenë edhe në Kroaci, Slloveni apo te ndonjë shtet mik perëndimor.

Procesi i lustrimit të figurave publike në asnjë vend nuk ka përfunduar 100% mirëpo ky proces ka ndihmuar që ata që e kanë pasur mizën pas veshi, nga frika që mund të dekonspirohen, janë tërhequr vet ose e kanë mbyllur gojën.

Në Kosovë ka qenë pikërisht e kundërta, bashkëpunëtorët e dëshmuar të regjimit jugosllav dhe serb janë bërë më të zëshëm dhe janë fuqizuar  në luftë kundër atyre që kanë sakrifikuar për kombin dhe shtetin sepse i kanë ruajtur strukturat që nga koha e Jugosllavisë dhe Serbisë.

Menjëherë pas përfundimit të luftës në Kosovë e kanë pasur një periudhë të emergjencës për mbijetesë sepse kishin mbetut në udhëkryq mirëpo, me ndihmën e Serbisë dhe misioneve të huaja në Kosovë shpejt e kanë rimarrur veten, janë fuqizuar dhe janë shpërndarë në të gjitha segmentet e jetës politike, ekonomike, kulturore, sportive, mediale, polici, gjyqësorë, etj., në Kosovë duke zënë pozita kyçe apo duke u bërë eminenca gri në vendimmarrje!

Partnerët e Serbisë kundër intereseve kombëtare dhe shtetërore u shndërruan në partnerë të ndërkombëtarëve kurse këtyre që dolën nga lufta u servirnin informata të parëndësihme për ta shpëruar lëkurën e tyre dhe për t’u ricikluar në rolin e mëparshëm.

Kështu, erdhëm në situatë që ne që ishim ketrajtuar mizorisht nga inspektorët e djeshëm të sigurimit shtetëror jugosllav dhe serb kur i takonim në rrugë e ulnim kokën sepse ata ishin bërë pjesë e rëndësishme e nomenklaturës udhëheqëse  në Qeverinë e  Përkohshme, pjesë me peshë e gjyqësorit dhe prokurorosë, hetues të respektuar në polici, kontrollonin bizneset e mos të flasim për hapësirën mediale ku ishin alfa dhe omega !

Kishim situata kur duhej ta përbinim bjeshkën shkaku se bijt dhe bijat e torturuesve tanë, pa pasur as ndjenjën më të vogël të dhembshurisë, silleshin në mënyrë edhe më sadiste se paraardhësit e tyre biologjikë, politikë dhe ideologjik!

Këta mblidhnin” fakte “ për Serbinë për krime lufte sikur edhe për Tribunalin e Hagës. Përpilonin dosje të sajuara dhe u nxorën sikur qimja nga dhjami!

Të përvuajturit e vërtetë u treguan shumë të mëshirshëm ndaj torturuesve të tyre, në emër të ndërtimit të së ardhmes ! Kurrë, në asnjë vend të botës nuk ka përfunuduar me sukses ndërtimi i së ardhmes pa u sqaruar e kaluara dhe pa u vënë para përgjegjësisë qoftë edhe morale ata që bënë tortura të paimagjinuashme ndaj atyre që e deshën lirinë e mohuar ! Forca kryesore dhe më e fuqishmja në vendet postdiktatoriale janë të burgosurit politikë dhe veteranët e luftës që paraprijnë dhe janë përcaktuese për lustrimin e figurave publike.

Ne nuk kishim dhe nuk i kemi këto sepse, edhe të burgosurit politikë por edhe veteranët e luftës janë manipuluar për qëllime politike duke i ikur interesit të përgjithshëm.

Po të kishim në Kosovë ish të burgosur  politikë dhe veteranë të luftës që nuk do të manipuloheshin politikisht, do ta kishin një situatë krejtësisht tjetër! Asnjë proces nuk do të zhvillohej në Kosovë  pa miratimin e tyre.

Shembull të mirë për këtë e keni Kroacinë përkatësisht Vukovarin! Ishte një nismë që të miratohet ligji për lustracion të figurave publike por fillimi ishte i mbrapshtë, në vend se të trajtohet si fenomen sikur në vendet tjera, u bë publike një listë me emra që shkaktoi huti sikur që e pengoi nismën për hartimin dhe miratimin e Ligjit për Lustrimin e Figurave Publike.

Duhet pranuar se nuk kishte as vullnet politik vendor e sidomos ndërkombëtar për këtë ligj sepse ishte koha e  realizimit të disa projekteve jashtëzakonisht të dëmshme dhe dhunuese për Kosovën.

Në këtë mënyrë u krijua një mjedis idilik për bashkëjetesë të viktimave të dikurshme me dhunuesit e dikurshëm nën ombrellën e të amshueshmit pushtet.

Nait Hasani, me nismën për lustrim të figurave publike e dëmtoi jashtëzakonisht shumë procesin sepse ofroi emra konkretë por jo edhe dëshmi konkrete për përgjegjsinë e tyre. Së paku jo për të gjithë që ishin në listën e Naitit!

Lista e Naitit në fakt u bëLista e Shindlerit, në vend që t’i sjellë para përgjegjësisë  të dyshuarit, ajo i amnestoi të gjithë!

Universiteti i Prishtinës në kohën e Jugosllavisë dhe në kohën e Kosovës së “ lirë “: Në kohën e ndryshimeve të mëdha në Evropë, edhe Universiteti i Prishtinës u bë pjesë e këtyre ndryshimeve.

Përmbajtja e këtyre ndryshimeve ishin kërkesat politike dhe kombëtare që u dhunoheshin pjesës dërmuese të shqiptarëve hiç atyre me orientim jugosllav dhe serb.

Dihet botërisht se proceset e mëdha i lëviz pakica kurse shumica sillet në mënyrë oportuniste ! Fillimisht proceset për ndryshime politike dhe çlirim kombëtar janë udhëhequr nga një numër i vogël i studentëve të Universitetit të Prishtinës sikur edhe nga një numër simbolik i mësimdhënësve të këtij Universiteti.

Pjesa më e madhe e profesorëve të Universitetit të Prishtinës i shërbenin socializmit vetqeverisës të Jugosllavisë dhe vëllazërim – bashkimit ndërsa pakica që donin frymëmarrje të lirë, ose arrestoheshin, ose diferencoheshin!

Pas përfundimit të luftës në Kosovë kishim një situatë të përafërtë ku, një pjesë e vogël e profesorëve e ruajti dinjitetin dhe kurrizin profesional kurse pjesa më e madhe iu nënshtrua plotikanëve injorantë, duke u vënë në shërbim të tyre.

Merreni strukturën udhëheqëse të Universitetit të Prishtinës të pas luftës nëse doni ta shihni mjerimin njerëzor, intelektual, moral dhe profesional!

Të tillët pastaj shkaktuan inflacionin e titujve akademikë dhe shkencorë duke armatosur injorantët me tituj të tillë! Shumica e profesorëve universitarë që i shërbeu Jugosllavisë dhe Serbisë  tash u bë truri dhe mendja e injorantëve politikë!

Për këtë arsye kemi një politikë siç e kemi, një arsim që prodhon analfabetë serialë dhe në vend që t’i nënshtrohen përgjegjësisë, kërkojnë rritje të pagave, një Akademi të Shkencave që i përngjanë arsimit fillor e që dallon vetëm në moshë, një ekonomi të pazarit dhe të kontrabandës, një shëndetësi publike që nuk i bënë konkurrencë as Burdushit, një rregullim shoqëror fisnor dhe një analfabetizëm intelektual.

Vlerësohet se një intelektual i vërtetë mbetet i tillë vetëm nëse e ruan trurin, mendjen, shpirtin, dinjitetin dhe kurrizin moral dhe profesional.

Nëse bëheni vegël e politikës atëherë dilni nga standardet e intelektualit të vërtetë sepse ia nënshtroni pavarësinë një egoje primitive të një politikani injorant e politikanë të tillë kemi shumë në Kosovë.

Intelektuali i vërtetë nuk lejon të shërbejë si material riciklues për të gjitha prapanicat e regjimeve në të cilat jeton. Në vendet normale, intelektuali i vërtetë është opozita e vërtetë! Ne jemi shumë larg nga kjo vlerë !

Cernagori Qosja dhe patriotët e leshit; Në kohën e Jugosllavisë dhe Serbisë, rruga për afirmim ishte deklarimi si jugosllav, ruajtës i vëllazërim – bashkimit apo komunist shqiptar ! Kjo ishte rruga për sigurimin e mirëqenies materiale dhe mjerimit shpirtëror, moral dhe njerëzor.

Kurse nacionalizmi dhe irredentizmi shqiptar ishte bileta për arrestim dhe burg, varfërim material por ishte edhe vlerë njerëzore, pasuri shpirtërore dhe vulë e legjitimimit të njerëzores, kombëtares dhe morales.

Mirëpo, jo çdo komunist ishe i keq dhe jo çdo nacionalist ishte i mirë! Komunist ishte Kuçani që me aq përkushtim u angazhua për pavarësinë e Sllovenisë.

Komunistë ishin edhe Shuvari dhe Raçani që e sollën pavarësinë e Kroacisë së bashku me nacionalistët kroatë. Të tillë ishin edhe Gligorovi dhe Tupurkovski që e bënë Maqedoninë të pavarur thuaja pa viktima.

Edhe Gjukanoviqi dhe Bulatovoqi ishin komunistë por e bënë Malin e Zi të pavarur. Kosova kishte shumë komunistë të cilët kryesisht angazhoheshin për t’i ruajtur pozitat e tyre dhe kur e panë që Jugosllavinë e rrou dreqi, u bënë luftëtarë të autonomisë së Kosovës!

Komuniste ishte LDK që e trashigoi Lidhjen Socialiste të Popullit Punonjës, komuniste ishte edhe Partia Fshatare sikur edhe bërthama themeluese e KMDLNj-së. Komuniste ishte edhe LPK dhe LKÇK sikur edhe pjesa dërmuese të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.

Edhe Rexhep Qosja ishte komunist. Po Ibrahim Rugova ç’ishte ? Mos ishte ballist, me librezë të komunistit jugosllav. Fatmir Sejdiu që u bë pastaj president i Kosovës, nacionalist na ishte ?! Komunist ishte sikur edhe Nexhat Daci që u bë kryetar i Kuvendit të Kosovës.

Komunistë apo varianti më egërshanë i tij  marksizëm – leninizmi ishin Jakup Krasniqi ish kryetar Kuvendi, Hashim Thaçi ishkryeministër dhe president i tashëm, Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit dhe ish kryeministrat Bajram Kosumi dhe Ramush Haradinaj. Komunist ishte edhe Agim Çeku, ish kryeministër.

Edha Isaja që sot është kryeministër e që ishte komunist dikur e ka fituar besimin e LDK-së, edhe si kryeministër, edhe si kryetar i LDK-së! A duhet të përdoret e kaluara politike e dikujt për ekzekutim politik, njerëzor e moral sot?!

A nuk duhet të besohet se njeriu mund të ndryshojë për të mirë dhe se dallon pozita dhe procesi sot nga ai para 30 e më shumë viteve. Rexhep Qosja, në një intervistë e ripërsëriti qëndrimin e tij se Lugina e Preshevës duhet t’ bashkohet Kosovës kurse Veriu i Kosovës duhet t’ bashkohet Serbisë!

Pas kësaj, filloi një linçim publik ndaj tij duke e fyer skajshmërisht për një mendim politik për të cilin ai nuk është vendimmarrës. Dhe as që varet nga Qosja nëse do të ndodhë ky këmbim i territoreve. Të njëjtin qëndrim e kishte edhe Lutfi Haziri por nuk u pushkatua nga askush.

Madje vetëm sa po ngjitet majave politike. Po dëgjohen zërat se edhe Ibrahim Rugova paska menduar sikur edhe Qosja dhe Lutfi Haziri. Unë nuk pajtohem me Qosjen e as Lutën për këtë por e mbroj të drejtën që edhe ata mund ta shprehin mendimin e tyre. Qosjen e vlerësoj si intelektual kulminant por si një politikan ausajder.

Së pari, dallon koha kur Qosja është deklaruar para 30 viteve për këmbim territoresh me Serbinë. Serbia ka krijuar një realitet tjetër sepse, që nga Rambujeja e kontrollon 100% edhe veriun e Kosovës sikur edhe Luginën e Preshevës. Lugina e Preshevës ndërkombëtarisht është pjesë e Serbisë kurse veriu i Kosovës ndërkombëtarisht llogaritet pjesë e Kosovës mirëpo që me heshtjen e ndërkombëtarëve po mbahet e okupuar nga Serbia.

Serbia nuk do të hyjë në këmbim territoresh dhe Kosova duhet të kërkojë respektimin e kufijve të pranuar ndërkombëtarisht, përkundër situatës së krijuar.

Propozimi për ndërrim territoresh është lojë e rrezikshme për Kosovën dhe humbje e sigurt e veriut të Kosovës në ndërkohë që Lugina e Preshevës është territor i rëndësisë strategjike për Serbinë dhe NATO-n dhe as që do të bisedohet për të. Kam frikë se vendimmarrësit ndërkombëtarë do të na dëmtojnë në veri dhe nuk është i rastit tolerimit që i bëhet Serbisë.

Mirëpo, të akuzosh Rexhep  Qosjen dhe Albin Kurtin se janë cernagorca është racizëm i ndyrë dhe poshtërsi e pashembullt aq më parë që kontributi  i tyre në luftë për liri të shqiptarëve është i pamohueshëm dhe kolosal. Rexhep Qosjen e akuzojnë ata që kurrë nuk e kanë kaluar nivelin nga bythëlëpirja në sahanlëpirje.

E akuzojnë ata që nuk e kanë shkruar një fletë të vetme në jetën e tyre dhe nuk kanë kapacitet ta kuptojnë një rresht të vetëm të shkruar nga Qosja. E akuzojnë ata që tërë jetën e tyre i kanë shërbyer padronëve komunistë dhe antikombëtarë mirëpo nuk kanë avancuar më shumë se pozita e rrogëtarit të përjetshëm.

Nuk pajtohem me propozimin e Qosjes por as me politikën e Albinit por kurrë nuk do t’ua mohoj kontributin e tyre. Për çdo popull, një intelektual ( jo politikan ) sikur Qosja do të ishte vlerë kombëtare, thesar kombëtar, ndërgjegje e kombit, enciklopedi dhe akademi e kombit sikur edhe vet qenia e ekzistencës së kombit.  I tillë është pa asnjë dyshim, Rexhep Qosja. Si vlerë e tillë do të bëhet pjesë e përjetshme e historisë së popullit shqiptar. Si politikan nuk do të mbahet mend.

Këta që sot po e fyejnë dhe sulmojnë Rexhep Qosjen, e kanë mohuar edhe Skenderbeun, Fan Nolin, Ismail Qemalin, Luigj Gurakuqin, Hasan Prishtinën, Isa Boletinin , Bajram Currin, Idriz Seferin, Azem Bejtën dhe Shotë Galicën , Shaban Polluzhën e Rifat Berishën, Gjon Serreçin e Marie Shllakun, komandantin Legjendar, të Pavdekshmin Adem Jasharin dhe heronjt e tjerë. Mos të flasim për fyerjet që i janë bërë Frymëzesit, Simbolit dhe Martirit të Gjallë të Pavrësisë dhe bashkimit kombëtar, krahut politik të të gjithë luftëtarëve për liri të shqiptarëve dhe bashkimit kombëtar, Bacës së Madh, Adem Demaçit .

Është kohë e antivlerave, kohë e ndryshkut njerëzor, moral dhe kombëtar prandaj edhe jemi në situatë siç jemi dhe se nuk e meritojmë asgjë më mirë. Është një thënie se ,” qentë lehin, karvani ecën  por te duket se është e kundërta: qentë po lehin por edhe po  e hajnë karavanin!

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img