Shkruan: Fadil Maloku
1. Që në fillim me duhet ta sqaroj për publikun, se përse dështoj, Projekti dhe modeli i ofertës socialdemokrate në Kosovë, në fillimet e veta dhe pas luftës së ndodhur. Por, paraprakisht, më duhet shkurtazi ta shpjegojë një çështje interesante, dhe të pa elaboruar deri më tani nga aspekti sociologjik. Sepse, zhvillimet politike në etnopsikologjinë dhe mentalitetin politik gjithëshqiptar, janë aq interesante sa edhe ngandonjëherë absurde. P.sh.si është e mundur ideja e mbijetimit të ish Partisë Socialiste Shqiptare (që ishte “ndërgjegjja” kryesore e gjitha; izolimeve, dështimeve ekonomike, reperkusioneve, ndjekjeve, deportimeve masovike nëpër kampe socialiste) edhe në kushtet dhe rrethanat proceseve demokratike? Pastaj, si u riafirmua koncepti i kompromentuar i “pabarazive sociale” (ide kjo tipike socialiste dhe socialdemokrate), përkundër egërsisë së dokumentuar të tipit të socializmit etatist, në Shqipëri? Si të shpjegohet vazhdimësia politike, pastaj edhe masivizimi dhe prezenca edhe e sotme e idesë së “barazisë sociale”, në një vend që vuajti shumë nga diktatura komuniste (lexo: socialiste)?!
Në ndërkohë edhe në Kosovë (lexo; ish Jugosllavi) që ishte një tip më liberal i socializmit ka absurde, por, jo të kësaj natyre. Sepse, këtu tipi i socializmit që identifikohej me “vetëqeverisjen” në vend që ta kultivoj logjikisht vazhdimësinë e saj sociale, u “vra” që në fillet nismëtare të erërave demokratike, pra, në vitet 90-ta?
Bile, u anatemua aq shumë sa që në periudhën, kur si shoqëri u “shkurorëzuam” masovikisht nga ish LKJ-ja (lexo; Lidhja Komuniste e Jugosllavisë), në shenjë pakënaqësie dhe demonstrimi antikomunist, shqiptarët përveç largimit, edhe i grisën, e disa edhe i dogjën në shenjë gëzimi, publikisht librezat e LKJ-s (Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë)? Për ta thjeshtësua edhe më tej: derisa në Shqipëri, Partia e Punës, u shndrru me aplikativitet masiv në Parti Socialiste (PS), përkundër gjithë atij ngujimi e katrahure kolektive shqiptare, në Kosovë, LKJ-ja, nga një dinozaur milionësh sociopolitik, u shkërmoq dhe u shkapërderdhë si flluskë sapuni, menjëherë pas rënies së Murit të Berlinit! Natyrisht, pretendimi ynë këtu nuk është të japim ndonjë përgjigje meritore sociologjike në këto absurde, sepse, kjo çështje kërkon një analizë dhe një elaborim shumë më shkencor, dhe me ekipe sociologësh, historianësh, politikologësh, e juristësh , por, kalimthi vetëm t’i identifikojmë si të tilla. Pra, nuk po e vazhdoj me këtë rast më tej, këtë “odisejadë”, sociologjike….
2. Ajo çka isha i provokuar në sqarim të mëtejmë, ka të bëjë pak a shumë me idenë apo historikun e formimit të PSD-s (Partisë Socialdemokrate të Kosovës), që sot është riaktivizuar me “pronarë” të rinj, si subjekt politik me pretendime në pamje të parë ambicioze, por, mendoj akoma jo edhe si model e ofertë serioze qeverisëse, në kushtet dhe rrethanat e sotme. Sidomos, tani pas “pronësimit” edhe zyrtar, të disa ish deputeteve të Vetëvendosjes (të vetëemëruar si GPD), të PSDK-s. Por, po e nisi, me problematikën e absurdit të idesë dhe Programit të kontestimit të “pabarazive sociale”, që i promovon gjithkund Projekti socialdemokrat.
Pra, përse PSDK-ja (Partia Socialdemokrate e Kosovës) fillestare, dështoj si projekt e vitet 90-ta kur në këtë subjekt politik, që në fillimet e para ishin kyqyr shumë emra të njohur nga inteligjenca kosovare. Ka shumë arsye, por unë meqë isha në grupin e nismëtarëve fillestar, si një i posakthyer me diplomë magjistrature nga Universiteti i Zagrebit, s’bashku me profesorët (Muhamedin Kullashi, Agim Hyseni, Kadri Metaj, Anton Berishaj, e Ramush Mavriqi) e Katedrës së Sociologjisë, pak a shumë mund t’i identifikoj ca momente interesante, anomali (gjithnjë nga distanca e sotme kohore) e ndoshta edhe ca keqkuptime për konceptin socialdemokrat atëbotë, në Kosovë. Ishin fillimi i viteve ’90-ta, kur filloj të kollapsoj socializmi (për disa komunist, për mua assesi!) edhe si sistem, edhe si model qeverisës, edhe si formacion sociopolitik, e sidomos si proces ekonomik. Në nivel global (ra Muri i Berlinit 1989), në atë kontinental (Rusia u gjunjëzua para sistemit kapitalist), në atë rajonal (filluan luftërat e përgjakshme në ish Jugosllavi), kurse, në nivel lokal (u aktivizuan nacionalizmat e gjitha republikave dhe kosovarëve). Për shumicën e sociologëve, ishin këto fillet e një rendi të ri botëror. Bile për disa edhe si “datëlindje” e procesit të identifikuar si globalizëm…
3. Në Kosovë ishte LDK-ja, e Ibrahim Rugovës ishte lëvizja më e fuqishme jo vetëm në ish Jugosllavi, por edhe në gjithë Ballkanin Perëndimor, që kishte marr përsipër realizimin e Projektit të Pavarësisë së Kosovës. Në formë, monizmi vetëqeverisës, ishte zëvendësuar me një monizëm përmbajtësor “pluralist” ! Duke dashur që edhe Kosova ta kishte atë ngjyrën dhe petkun e pluralizmit të njëmendët, i ndjeri Prof.Fehmi Agani, na sygjeroi që të krijonim Parti tjera të reja, sikurse në gjithë vendet tjera postsocialiste. Dhe kështu, menjëherë u formuan: PSDK-ja, PFK(Partia fshatare e Kosovës), PR (Partia Republikane), PSHDK-ja (Partia shqiptare demokristiane), PLK-ja (Partia Liberale e Kosovës), etj.
Të gjitha Partitë e paraluftës, anipse ishin më shumë folklorike dhe ishin formuar si pandame të ish LDK-s, për qëllim kishin vetë krijimin e imazhit se edhe Kosova, është pluraliste dhe në rrugëtimin e lirisë, demokracisë, e pavarësisë. Pluralizmi kosovar, anipse improvizues, ishte edhe pasojë e produkt i homogjenizimit të ndodhur tek gjitha republikat e ish Jugosllavinë e atëhershme. Për fund, është interesant, se përveç LDK-s, asnjë nga këto Parti”folklorike” nuk arritën t’i rezistojnë kohës. Aq më tepër PSDK-ja. Për mendimin tim, arsyet duhet gjurmuar edhe tek paragjykimet dhe stigmatizimet e përhapura gjithandej për socializmin dhe komunizmin, nga ana e kombeve të ngujuara në ish krijesën centaur të Jugosllavisë. Por, jo edhe në gjithë kampin ish shteteve socialiste. Këtë konstatim, të sotshëm e dëshmoj historia re zhvillimeve të mëvonshme, sidomos në Shqipëri e Rusi…