Partia Socialdemokrate ka zhvilluar një aksion para Qeverisë së Kosovës.
Ata kanë vendosur flamuj me hartën e “cunguar” të Kosovës duke paraqitur komuna që pritet të jenë pjesë e Asociacionit. Poashtu në flamujt e vendosur nga PSD janë vetëm dy yje.
Pas aksionit është deklaruar kryetari i PSD’së, Dardan Molliqaj. Ai ka thënë se drafti i pranuar nga Kurti e zhbën Republikën e 17 shkurtit.
Sipas tij me këtë draft zhduket barazia mes qytetarëve duke treguar se pse janë vetëm dy yje në flamurin që ata e kanë vendosur pranë Qeverisë.
“Drafti i pranuar nga Qeveria e Kosovës në thelb e zhbën Republikën e 17 shkurtit të shpallur si shtet të pavarur të qytetarëve multietnikë. Nga sot, jo vetëm që e zhbën republikën si koncept, tani zhduket barazia mes qytetarëve të cilat kanë qenë të shprehura edhe në simbolet e shtetit Kosovës përmes yjeve. Nga sot edhe flamuri i Kosovës nuk mund të jetë i njëjti, ai duhet të paraqet një realitet të hidhur dhe të dëmshëm të Kosovën. Nga sot flamuri i Kosovës i ka vetëm dy yje që përfaqësojnë dy etnitë dhe fillimin e konfliktit të vazhdueshëm që do të kemi mes vete”, tha Molliqaj.
Ai ka paralajmëruar përshkallëzim dhe intensifikim të aksioneve dhe protesta.
Molliqaj e ka quajtur kryeministrin Kurti si kryeministër i Zajednicës – “Albin Zajednica”.