Partia Social Demokrate ka lëshuar një komunikatë për media, me anë të së cilës ka kritikuar ashpër projektligjin për KPM-në, që sot kaloi në Komision.
Sipas PSD-së, Qeveria me anë të këtij projektligji po tenton t’i diciplinoj e kontrolloj mediat. Kjo sipas tyre është akord i melodisë së autoritarizmit.
Tutje në komunikatë thuhet se dëshirat e fantazitë e Besnik Bislimit nuk duhet të bëhen rend shoqëror.
E plotë:
Përpjekja e rradhës e pushtetit për të disiplinuar dhe kontrolluar mediat është akordi i melodisë tanimë të njohur të autoritarizmit.
Projektligji i ri synon të detyrojë median online të licensohet nga trupa qeveritare dhe kërcënon me ndëshkime të papërballueshme.
Ky vendim nuk e ka karakterin e precedentit. Është realiteti i ri që po instalohet. Ligji i rrëzuar për KPK-në – zgjedhja e kyreprokurorit me shumicë të thjeshtë, ligji për shërbyes civil, dhe projektligji për KPM-në, e kanë një emërues të përbashkët: tendencën autoritare të pushtetit për të vendosur regjim mbi institucionet e pavarura.
Masat e tilla e nënvlerësojnë dhe sulmojnë thelbin e medias së lirë, të pavarur dhe nevojën e shoqërisë për transparencë dhe llogaridhënie të pushtetit. Rregullimi i mediave online udhëhiqet nga parimi i vetërregullimit gjithkund në botën demokratike dhe kështu duhet të jetë edhe në Kosovë. Shijet dhe fantazitë e Besnik Bislimit nuk mund të vendosen në nivel të rendit shoqëror. Shprehja e lirë është kusht për një shoqëri demokratike.
Kjo është një çështje për të cilën ia vlen çdo përpjekje.