Sot para Kuvendit të Kosovës kanë protestuar punëtorët teknikë, që mirëmbajnë objektin e këtij institucioni.
Arsyeja e kësaj shprehje të pakënaqësisë janë pagat e ulëta.
Ata kanë kërkuar që pagat e tyre të rriten nga 270 në 500 euro.
Pjesëmarrësit kanë paralajmëruar edhe veprimet tjera sindikale nëse kërkesat e tyre nuk realizohen.
Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka thënë se problemi është te kompania kontraktuese ku prej 18 mijë eurove, vetëm 6 mijë ndahen për këta punëtorë.
“Shuma është 18 mijë euro, ndërsa që e marrin punëtorët është 6 mijë euro. Më shumë merr buxhet pronari i kompanisë. Jemi dalë të protestojmë për paga të ulëta për punëtorët teknikë që kryejnë shërbime për Kuvendin e Kosovës. Që të jemi parimor ne kemi bërë bisedë me sekretarin e Kuvendit dhe drejtorin e Administratës të cilët me përpikëri na kanë shpjeguar për procedurën e çështjes së pagave të punëtorëve. Kuvendi i Kosovës kompanisë ia përcjell 18 mijë euro brenda muajit për shërbimet që i kryejmë dhe ne e kemi komunikuar shumë mirë me sekretarin. Problemi është tek kompania e cila kryejnë shërbime”, ka thënë Azemi.
Ne i kemi shkruar pronarit të kompanisë i kemi shpjeguar se ne për sot do të kemi një protestë paqësore dhe nëse nuk reflekton pronari i kompanisë ne sigurisht nga java tjetër me vendimin e punëtorëve do ta ndërpresim shërbimet tona”, tha ai.
Ndërsa, përfaqësuesja e punëtorëve, Nazife Krasniqi, ka thënë se kërkesa e vetme e tyre është të marrin atë se çka iu takon sipas ligjit.
“Ne kemi kërkuar me na u rrit pagat, kemi biseduar me sekretarin, drejtorin aty është thënë se ka mundësi me u rrit pagat, por neve operatori ekonomik nuk na është përgjigj. Nuk mund të punojmë me 275 euro kur kemi me udhëtuar e kemi ushqim, por nuk po na mjafton”, u shpreh ajo.