Protestuesit para Kuvendit të Malit të Zi, kanë shembur gardhin mbrojtës, ku më pas policia ka ndërhyrë duke hedhur gaz lotsjellës.
Protestuesit pretendojnë se ndryshimet në Ligjin për Presidentin, kanë për qëllim prishjen e rendit kushtetues dhe thonë se nuk do ta lejojnë.
Turma ka brohoritur “tradhti, tradhti” dhe ofendoi kryeministrin Dritan Abazoviq dhe ministrin e Brendshëm, Filip Axhiq.
Kuvendi i Malit të Zi sot për herë të dytë miratoi ndryshimet në Ligjin për Presidentin, me të cilat mundësohet zgjedhja e qeverisë pa pëlqimin e Presidentit.
Për miratimin e Ligjit votuan 41 deputetë, të cilin pjesëmarrësit e protestës e shoqëruan me fishkëllima dhe më pas kanë hedhur shishe dhe gurë ndaj forcave policore.
Me gurë është thyer xhami në derën e hyrjes së Kuvendit dhe është fikur drita në parlament për arsye sigurie, raporton radio televizion publik i Malit të Zi (RTCG).
Kryetarja e Forumit të Qytetarëve të Lirë, Luça, organizatore e protestës, ka bërë të ditur se takimi është ndërprerë dhe ka kërkuar që qytetarët të largohen të qetë.
Mirëpo, qindra qytetarë kanë mbetur para parlamentit, edhe pse përfaqësuesit e DPS-së kanë bërë thirrje që të shpërndahen paqësisht.